Simpatiket e basketbollit

Basketboll

Simpatiket e basketbollit

Më: 12 mars 2019 Në ora: 10:52
Simpatiket e basketbollit

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të dielën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec në bashkëpunim me KB Rahoveci e kanë organizuar aktivitetin e radhës për vajzat e reja në kuadër të projektit FIBA Europe Girls’ Program.

Pjesëmarrëse në këtë aktivitet kanë qenë 250 vajza nga të gjitha viset e Kosovës të moshës 9 deri në 16 vjec, ndërsa kanë asistuar 15 trajnerë/e të ekipeve të ndryshme të gjeneratave të reja në konkurrencën e femrave.

Me këtë aktivitet FBK në mbështetje të FIBA-s e kanë shënuar edhe Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ndërsa FBK po ashtu nëpërmjet këtij aktiviteti të organizuar në Rahovec ka dashur që të promovojë edhe basketbollin e femrave në këtë qytet, duke marr parasysh tashmë interesimin e madh për këtë sport pas përfundimit të punimeve në palestër dhe organizimit të Final 8 të Kupës së Kosovës ditë më parë në këtë palestër.

Në këtë aktivitet janë zhvilluar lojëra të ndryshme argëtuese, ku janë shpërndarë edhe shpërblime të ndryshme nga FBK.

Ajo cfarë ia vlen të theksohet nga ky aktivitet është edhe riaktivizimi i klubit të basketbollit Rahoveci në konkurrencën e femrave që pritet të ndodh së shpejti. Në aktivitetin e së dielës kanë qenë të pranishme 45 vajza nga Rahoveci të moshës 10-17 vjec që kanë shprehur interesim të fillojnë të merren me basketboll.

Image

Me këtë rast Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila edhe ishte e pranishme në këtë aktivitet së bashku me kryetarin e KB Rahoveci, Bekim Hoxhën dhe ish-basketbollisten e KB Rahoveci, Arbnora Sokoli në ditët në vazhdim pritet të takohen për të biseduar në lidhje me rifunksionalizimin e klubit të femrave. Me këtë rast FBK pret edhe mbështetjen e Komunës së Rahovecit, që si gjithnjë i ka dal në ndihmë FBK-së dhe KB Rahoveci (meshkujt).

Duhet theksuar se në fund të vitit të kaluar FBK e ka lansuar projektin e përbashkët me FIBA-n për vajza me moton "Her World, Her Rules" (Bota e Saj, Rregullat e Saj) nëpërmjet një turneu në të cilin kanë marr pjesë 150 vajza nga e gjithë Kosova, të moshës 12 deri 16 vjeç, ndërsa tashmë ky numër pothuajse është dyfishuar dhe kjo u pa më së miri në aktivitetin e së dielës në Rahovec.

Image

Nëpërmjet këtij projekti FBK synon të zhvilloj basketbollin ndër vajza në vendet rurale të Kosovës, apo edhe në qytetet ku nuk ka aktualisht ekipe të femrave të basketbollit.

Target i FBK-së në këtë projekt janë vajzat e shkollave fillore, prindërit, arsimtarët e Edukatës Fizike, si dhe trajnerët e basketbollit.

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen, kampe, turne, punëtori, klinika, në mënyrë që të arrihet edhe qëllimi i projektit, e që është masovizimi i basketbollit ndër vajza, por edhe krijimi i ekipeve të femrave në qytetet/fshatrat ku nuk ka basketboll të femrave, si dhe krejt në fund të arrihet që pas disa viteve edhe në konkurrencën e femrave të kemi liga prej kategorisë U12 e deri tek senioret.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat