Zyrtarët e lartë të Evropës në Prishtinë

Basketboll

Zyrtarët e lartë të Evropës në Prishtinë

Më: 12 mars 2019 Në ora: 16:02
Arben Fetahu e Radmila Turner

Më 18 dhe 19 mars 2019 në Prishtinë do të qëndrojnë Radmila Turner dhe Sinan Taze, që të dy zyrtarë të lartë në FIBA Evropë.

Arsyeja e vizitës së tyre është inspektimi i hoteleve dhe palestrave të paraqitura nga Federata e Basketbollit të Kosovës për FIBA U20 Kampionatin Evropian, Divizioni B (Femrat) që do të organizohet prej 3 deri më 11 gusht 2019 në Prishtinë.

Federata e Basketbollit të Kosovës i ka paraqitur dy palestra për këtë aktivitet, palestrën e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, si dhe palestrën “1 Tetori”.

Të dy zyrtarët e FIBA-s do t’i inspektojnë në detaje të dyja palestrat në mënyrë që të shohin se a i plotësojnë këto palestra kriteret e FIBA-s dhe nëse jo, atëherë të fillohet me investime qysh tani në mënyrë që në muajin gusht gjithçka të jetë gati për FIBA U20 Kampionatin Evropian, Divizioni B (Femrat).

Shtetet pjesëmarrëse në këtë Kampionat do të jenë: Kosova, Islanda, Kroacia, Izraeli, Ukraina, Irlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Turqia, Rumania, Finlanda, Greqia dhe Bullgaria.

Për FBK-në, por edhe për vet Kosovën dhe sportin kosovar në përgjithësi, dhe në veçanti sportin femëror, kjo është një e arritur e madhe.

Federata e Basketbollit të Kosovës në vitin 2018 ishte organizatore e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, në të cilin Përfaqësuesja jonë triumfoi në mesin e nëntë shteteve duke u shpallur kampione dhe duke avancuar një Divizion më lartë, pra në atë B që nga viti 2019.

Gjatë FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C që është organizuar në Prishtinë në vizitë ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak, i cili ishte shumë i kënaqur me organizimin e eventit, derisa në kryeqytet për dhjetë ditë të Kampionatit ka qëndruar Radmila Turner, përgjegjëse e Federatave Nacionale në FIBA Evropë, e cila e ka mbikëqyr Kampionatin dhe krejt në fund ka dorëzuar raport pozitiv për Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat