Philadelphia befason Milwaukeen, tjetër humbje për Lakers

Basketboll

Philadelphia befason Milwaukeen, tjetër humbje për Lakers

Më: 18 mars 2019 Në ora: 12:16
Philadelphia befason Milwaukeen, tjetër humbje për Lakers

Ndeshja kryesore e mbrëmjes u zhvillua në Fiser Forum të Milwaukee.

Vendi i parë i Konferencës së Lindjes dhe i treti u përballën mbrëmë mes vete në NBA.

Philadelphia 76-ers bëri befasi duke triumfuar ndaj Milwaukee Bucks në shtëpinë e tyre me rezultat 130-125.

Fantastik në këtë takim ishin Joel Embiid i 76-ers, që realizoi 40 pikë e 15 kërcime, si dhe Giannis Antetokounmpo i Bucks me 52 pikë e 16 kërcime, por që në fund nuk patën vlerë për skuadrën e tij.

Tjetër humbje e rëndë për Los Angeles Lakers, me rezultat 123-124 në fushën e New York Nicks, me fituesin që u vendos në sekondat e fundit.

Kur kishte kaluar gjysma e çerekut të katërt, Lakers, të udhëhequr nga LeBron James 33 pikë dhe Kyle Kuzma, kishin avantazh prej 11 pikësh, por çuditërisht skuadra vendase 22 sekonda para fundit mori epërsinë me vetëm një pikë më shumë falë dy gjuajtjeve të lira të realizuara nga Emmanuel Mudiay, autor i 28 pikëve në total.

Në aksionin e fundit të Lakers heroi i Nicks u bë Mario Hezonja që nuk lejoi LeBron James të shënonte koshin që do t’u jepte fitoren kalifornianëve.

Fitore e vështirë, por shumë e rëndësishme e Los Angeles Clippers në sfidën me Brooklyn Nets me rezultatin 119-116.

Edhe pse në çerekun e dytë mysafirët arritën një avantazh prej 19 pikësh, Clippers, falë lojës së mirë në grup, mundën ta kthenin situatën në favor dhe të fitonin në fund me tre pikë diferencë.

25 pikë realizoi Lou Williams, nga 20 shtuan Harrell dhe Gallinari, ndërsa për Nets nuk mjaftoi forma e jashtëzakonshme e  D’Angelo Russell, që e mbylli takimin me 32 pikë dhe 10 asistime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat