Saglik është trajner i ri i KB Bashkimi

Basketboll

Saglik është trajner i ri i KB Bashkimi

Më: 21 mars 2019 Në ora: 14:20
Saglik është trajner i ri i KB Bashkimi

Ahmet Furkan Saglik është trajner i ri i KB Bashkimi - Femrat, me të cilin skuadra prizrenase ka firmosur marrëveshje deri në fund të këtij edicioni. Turku Saglik në këtë post, vjen në vend të Edin Kërveshit, i cili të martën ka dhënë dorëheqje. Saglik të enjten mbrëma do të jetë në Prizren dhe do të udhëheq ekipin në ndeshjen kundër Penzës që Bashkimi e luan në vikend në shtëpi.

Saglik ka një përvojë të madhe në basketboll, pasi ka punuar në Turqi me ekipe elitare të femrave. Pra, bëhet fjalë për një trajner të nivelit të lartë që edicionin e shkuar ishte në krye të ekipit OGM Orman Spor. Ai ka punuar me lojtare të nivelit botëror, superyje si Ana Daboviq, Brittney Sykes, Jasmine Thomas, Kara Braxton, Petra Kulichova dhe sukseset nuk i kanë munguar.

Saglik është trajneri i parë i huaj në Ligën e Femrave pas 15 vjetësh, kur së fundi ishte kroati Zeljko Ciglar ai që udhëhoqi KB Universitetin (tani Prishtinën) në Ligën Rajonale Trokal.

Bashkimi është kampion në fuqi në Ligën e Femrave, derisa së fundi është mposhtur në fundjavën që e lamë pas nga Prishtina, që ia ka shkaktuar edhe humbjen e parë në kampionat, derisa ishte pikërisht Prishtina që në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës arriti ta eliminoj dhe në fund edhe ta fitoj trofeun e kupës duke e mundur në finale pa problem Penzën nga Peja.

Duhet theksuar se janë pikërisht Bashkimi dhe Prishtina që pritet ta kenë fjalën kryesore në play-off të Ligës së Femrave që pritet të startoj së shpejti. Si Bashkimi, ashtu edhe Prishtina i kanë nga dy lojtare amerikane në radhët e veta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat