Mikena synon majat më të larta të basketbollit në Kosovë

Basketboll

Mikena synon majat më të larta të basketbollit në Kosovë

Nga: Kemajl Goca Më: 24 mars 2019 Në ora: 19:34
Mikena Asllani me Learta Berishën

Në vitet e fundit kanë dal në sipërfaqe një numër i madh i basketbollisteve që premtojnë shumë. Edhe Federata e Basketbollit e Kosovës i kushton shumë rëndësi të rejave, ku kanë edhe grumbullime të shpeshta, për çka është një sinjal i qartë se e ardhmja e basketbollit tonë është në duart e sigurta. Një emër që po vjen është edhe Mikena Asllani, që luan me sukses për senioret e Dritës nga Gjilani dhe është grumbulluar në listën e gjerë të kombëtares së Kosovës U-16. Basketbollistja nuk ka më shumë se 16 vjeç, është e gjatë 178 centimetra dhe luan në pozitën 4-5 (qendër). Mikena vlerësohet si talente prej talenteve që pritet shumë në vitet e ardhshme.

Image

Ajo ka treguar se si u dashurua me lojën e basketbollit. “Trajneri Agron Kurtalani është një i njohur i familjes sime, ishte ai qe mbolli dashurinë për basketbollin ca vite më parë duke më ftuar për stërvitje”, tha Mikena për gazetën kombëtare “Bota sot”. Basketbollistja e talentuar tregon se sa është vështirë të lush për ekipin e senioreve. “Të tregoj të drejtën kur fillova të luaja si seniore vitin e kaluar, si 15 vjeçare, e kisha shumë të vështirë.

Image

Përballesha me lojtare me shumë eksperiencë, që pozitën e tyre e luanin në mënyrën më të mirë, por pas shumë angazhimeve edhe nga trajnerët gjithashtu edhe nga unë, besoj që gjithçka ndryshoi. Stërvitja është çelësi për gjithçka në sport. Tani kam fituar një lloj eksperience, nuk kam stresin e lojës. Synimi i vetëm tani për tani është paraqitja sa më e mirë në lojë”, ka thënë 16-vjeçarja. Drita renditet në vend të shtatë me 18 pikë, a shpresoni se do ta ruani këtë pozitë deri në fund? “Pozita jonë në tabelë nuk është e lakmueshme, por shpresojmë që ky vend të mbetet i joni. Arsyeja që nuk kemi synime për vend është mangësia e lojtareve”, përgjigjet Mikena. Lojtarja që luan në pozitën e qendrës, ka ambicie të mëdha: “Qëllimi im i parë është që të vazhdoj që në shkollë të jem sa më e suksesshme dhe të mos më mungojnë sukseset si përherë, si dhe së dyti të arrijë majat e basketbollit femëror në Kosovë”. Mikena është lumtur që ftua për herë të parë në grumbullimin e Kosovës U-16.

Image

“Grumbullimi për përfaqësuesen e Kosovës është edhe një motiv shtesë, është qëllimi i çdo sportisti që të arrijë deri në grumbullimin e përfaqësueseve dhe kjo më shtyu ende më shumë që të punoj për një të ardhme time të suksesshme”, shprehet Mikena. Si çdo i ri dhe e re ka idhujt e saj të basketbollit, po ashtu edhe Mikena. “Ndër lojtarët qe më pëlqen më shumë është Shaquille O'neal (ish-lojtar) dhe Kyrie Irving, ndërsa ekipi im i preferuar është Boston Celtics. Por shtytja dhe përkrahja e familjes më ndihmojnë shumë që unë të jem një sportiste e mirë e ardhshme”, përfundoi Mikena.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat