Kampionët në fuqi të NBA, vazhdojnë të mbajnë kreun e Konferencës së Perëndimit.
Pas humbjes së rëndë të pësuar nga Dallas Mavericks, skuadra e Golden State Warriors i kthehen fitoreve, duke triumfuar ndaj Detroit Pistons 121-114.
Një ndeshje që u vendos qysh në pjesën e parë, ku Warriors krijuan një epërsi prej 14 pikësh, kontribut të madh dha Stephen Curry me 26 pikë, kurse Klay Thompson shtoi 24 të tjera. Ndërkohë te skuadra e Pistons më i miri ishte Blake Griffin me 24 pikë, por që nuk mjaftuan për skuadrën mysafire.
San Antonio Spurs arriti një fitore shumë të rëndësishme 115-96 në fushën e Boston Celtics, duke bërë një hap të sigurt drejt kualifikimit në play off, falë edhe humbjes së Sacramento Kings, që është skuadra e vetme që mund t’ia rrezikojë vendin e tetë.
Të udhëhequr nga LaMarcus Aldridge, i cili realizoi plot 48 pikë dhe 13 kërcime, teksanët gjetën forca për t’u rikthyer pas dy humbjeve radhazi e tashmë mendojnë të qetë për takimin e ardhshëm me Charlotte Hornets.
Një duel shumë i rëndësishëm ishte edhe ai në mes të Indiana Pacers dhe Denver Nuggets, por vendasit dominuan dhe triumfuan me rezultat të thellë 124-88.
Te Pacers u dallua kroati Bojan Bogdanoviq me 35 pikë, ndërsa rivali te Nuggets, Nikola Jokiq, realizoi 19 pikë e 11 kërcime.
Toronto Raptors, tashmë pa motivimin e duhur, pasi janë në vendin e dytë në Lindje, humbën me vetëm një pikë diferencë 114-115 ndaj Charlotte Hornets.
Kawhi Leonard (28 pikë) kaloi në avantazh të vendasit 114-112, por një trepikësh i çmendur i realizuar nga Jeremy Lamb nga gjysma e fushës para u dha fitoren Hornets.