Raptors dhe Nuggets i kthehen fitoreve

Basketboll

Raptors dhe Nuggets i kthehen fitoreve

Më: 17 prill 2019 Në ora: 12:23
Ilustrim

Janë zhvilluar tri ndeshjet e radhës në play offin e NBA.

Toronto Raptors këndellet nga disfata ndaj Orlando Magic në ndeshjen e parë të serisë së play off-it, duke dominuar në të dytën me rezultatin e thellë 111-82, shkruan KosovaPress.

Merita shkon veçanërisht për Kawhi Leonard, që realizoi 37 pikë, pa harruar dhe mbështetjen që mori nga Kyle Lowry që e mbylli takimin me 22 pikë.

Dy ndeshjet e radhës mes këtyre dy skuadrave do të luhen tani në Orlando.

Edhe Denver Nuggets rikthehen tek suksesi, duke barazuar 1-1 serinë e përballjeve me San Antonio Spurs.

114-105 triumfoi skuadra nga Kolorado, që edhe pse u ndodh në disavantazh prej 19 pikësh pak para se të mbyllej çereku i tretë, ia doli të përmbyste gjithçka dhe të fitonte në fund me nëntë pikë dallim.

Më i miri për Nuggets ishte Jamal Murray, që 21 nga 24 pikët e tij i realizoi në çerekun e fundit. Gary Harris shtoi edhe 23 pikë për të vendasit.

E vetmja skuadër deri tani që ka mundur të çojë në 2-0 serinë e përballjeve në play off është Portland Trail Balzers, që mundi përsëri Oklahoma City Thunder, me rezultat 114-94.

C.J. McCollum dhe Damian Lillard shkëlqyen në këtë takim me 33 përkatësisht 29 pikë, ndërsa Maurice Harkless shtoi 14 pikë e 9 “rebound” për vendasit.

Në radhët e skuadrës së Thunder u mundua të bënte diçka më shumë Paul George me 27 pikë në total, por që ishin pak për të shmangur humbjen. Takimi i tretë i serisë do të zhvillohet në orët e para të së premtes në Oklahoma.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat