Konjusha: Pretendojmë ta çojmë kupën në Prishtinë

Basketboll

Konjusha: Pretendojmë ta çojmë kupën në Prishtinë

Nga: Kemajl Goca Më: 23 prill 2019 Në ora: 17:57
Konjusha: Pretendojmë ta çojmë kupën në Prishtinë

Janë në emocionet e finales së katërt të play-off-it të Superligës së Kosovës në basketboll (femrat), mes Prishtinës dhe Bashkimit, kampione në fuqi, e cila zhvillohet nesër në orën 19.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Bardhekaltrat janë në epërsi me 2:1 në serinë e fitoreve të finaleve ndaj “portokallinjve”.

Finale që zgjon kureshtjen e dashamirëve por edhe që mund të ketë tensione sportive mes ekipeve! Prishtina është një fitore larg titullit, kurse Bashkimi pretendon ta barazojë serinë e fitoreve. “Pas fitores në ndeshjen e tretë finale në Prizren kundër KB Bashkimi me rezultat 77:79, të mërkurën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me fillim nga ora 19.00 zhvillohet ndeshja vendimtare për titull Kampioni”, thuhet nga KB Prishtina.

Basketbollistja e Prishtinës, Irma Konjusha, që luan në pozitën 2-3, beson se do ta festojnë titullin në kryeqytet. A jeni në emocione te finales se madhe, e cila edhe mund ta vendos titullin? “Jo, emocione s’ka në klubin tonë për finalen e madhe. Me lojën tonë të mirë ekipore pretendojmë që do ta çojmë kupën në Prishtinë”, përgjigjet Konjusha për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Konjusha mendon se përparësi është terreni vendas: “Përparësitë janë, që luajmë në vend tonin”. A jeni në presion të finales? “Jo, vetëm duhemi të luajmë në mënyrë ekipore dhe besoj që në fund e arrijmë suksesin”, tha ajo.  Konjusha iu premton tifozëve lojë të mirë: “Tifozëve u premtoj një lojë të mirë nga ana jonë dhe në fund të festojmë së bashku”. Në taborin e Bashkimit basketbollistet kanë zgjedhur heshtjen, nuk prononcohen para ndeshjes!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat