Shatri: Panë një Prishtinë të fortë në parket  - Bota Sot
Shatri: Panë një Prishtinë të fortë në parket 

Basketboll

Shatri: Panë një Prishtinë të fortë në parket 

Nga: Kemajl Goca Më: 7 maj 2019 Në ora: 10:30
Fidan Shatri

Në vitet e pasluftës nuk ka pasur shikueshmëri më të madhe në Ligën e femrave të Kosovës në basketboll, sidomos në ndeshjen e pestë të finales së play-off-it mes Bashkimit dhe Prishtinës, ku ishin mbi 1300 shikues në palestrën në Prizren, kurse prishtinaset me fitoren me rezultat 76:71 u stolisen me titullin e kampionit (në seri të fitoreve 3:2). Duhet kujtuar se shikueshmërinë te femrat, me mbi 2 mijë shikues e mbanë ende KB Universiteti (tani Prishtina) kur garonte në edicionin 2003-04 në Trocall League.

Trajneri i Prishtinës, Fidan Shatri, shprehet se kanë treguar seriozitet në parket.  A mendoni se Prishtina ka tejkaluar të gjitha parashikimet gjatë këtij edicioni? “Prishtina këtë vit ka qenë një Prishtinë shumë serioze, ku ka luftuar për të gjitha trofetë. Në Superkupë askush s'ka menduar që Prishtina fiton pasi që kundërshtari ka qenë më dy amerikanet por në fund të gjithë e ndërruan mendimin, pasi panë një Prishtinë të fortë në parket. Nuk mendoj që kemi kaluar parashikimet pasi që Prishtina është paraparë të jetë në garë për të gjitha trofetë”, thotë Shatri për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Përveç titullit të kampionit Prishtina rrëmbeu edhe Kupën e Kosovës. Ana e medaljes së mirë ishte shikueshmëria në sfidat finale, sidomos ajo në finalen e pestë të play-off-it në Prizren. “E veçanta e kësaj finaleje dhe këtij kampionatit ishte interesimi për këto finale nga publiku. Normal që konkurrenca edhe rivaliteti sjellin edhe shikueshmërinë dhe interesimin nga të gjithë. Ishin finale të ngushta të gjitha, kjo e ka bërë të veçantë dhe interesante këtë seri të play-off-it në finale”, tha Shatri.

Sipas tij po rritet edhe cilësia: “Mendoj se gradualisht po shkojmë në nivelin e duhur, ka ngritje të cilësisë por duhet kohë dhe shumë punë. Duhet investime dhe përkrahje për lojtaret dhe trajnerët që punojnë me këto lojtare”. A mendoni se ka qenë prej kampionateve më atraktive, pesë finale të luajtura në play-off dhe a sollën edhe rivalitet basketbollistet nga shtetet e jashtme?

“Definitivisht po, ka qenë një kampionat me interesim dhe me rivalitet, me finale më të mira në këto vitet e fundit. Lojtaret e huaja normal që ngritën edhe cilësinë në ndeshjet edhe interesimin për ndeshjet”, përfundoi Shatri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...