Berisha për fitore në Rahovec: Njerëzit le të kënaqen me bukuri të basketbollit

Basketboll

Berisha për fitore në Rahovec: Njerëzit le të kënaqen me bukuri të basketbollit

Nga: Kemajl Goca Më: 9 maj 2019 Në ora: 18:34
Berisha për fitore në Rahovec: Njerëzit le të kënaqen me bukuri të basketbollit

Rahoveci është në ethet e finales së katërt të play-off-it të Superligës së Kosovës, sepse vetëm fitorja e mban në garë për titull, kurse Z Mobile Prishtina është në formë dhe të bindur se do të festojnë nesër titullin në palestrën e sportit “Mizahir Isma” në Rahovec. Gjithçka është e gatshme për finalen e katërt, ku pritet spektakël basketbolli ashtu siç dinë rahovecianët. Prishtina është në përparësi për faktin se avancon me rezultat 2:1 në seri të fitoreve kundër Rahovecit.

Ballafaqimi luhet nesër në orët e vona, 20.30. Basketbollisti më i mirë në Kosovë, Dardan Berisha, tha se shkojnë për fitoren në Rahovec. “Ne shkojmë për fitore dhe pas një viti shumë të gjatë e të suksesshëm për me përfunduar në mënyrën më të mirë këtë vit”, tha Berisha për gazetën kombëtare “Bota sot”. Berisha është në formën më të mirë, i cili pritet të bëjë diferencën në finalen e katërt.  

A do të jetë vështirë para një atmosfere të zjarrtë, ku priten të jenë në palestër rreth 3000 veta, a po kjo është një motiv shtesë për ju? “Normal që do të jetë vështirë, se Rahoveci e ka një ekip shumë të mirë dhe trajneri i tyre Bujar Loci e ka komponuar ekipin në mënyrën më të mirë për ta, plus kur shtohet këtu publiku që e kanë duhet të jetë një motive i madh për ta. Për neve me rëndësi me qenë atmosfera e mirë e miqësore, që nuk dyshoj aspak dhe në fund le të fiton më i miri.

Me një fjalë, njerëzit le të kënaqen me bukuri të basketbollit”, tha Berisha. Në taborin rahovecian shpresojnë në mrekulli, kurse tifozët organizohen për të krijuar një atmosferë ashtu si i ka hije basketbollit.  “Asgjë s'ka përfunduar, djemtë e ekipit s'janë dorëzuar, ne djemtë e qytetit dhe i gjithë qyteti jemi pas tyre, vetëm bashkë mund ta mundim këdo. Të premten në ‘Mizahir Isma’ luhet vetëm për fitore. Prandaj i njoftojmë gjithë anëtarët që të premten të gjithë në palestër.

Është ndeshja e fundit në ‘Mizahir Isma’ dhe bashkë ta udhëheqim ekipin drejt fitores. Ftojmë publikun rahovecas në përkrahje maksimale dhe anim korrekt, njëkohësisht edhe mikpritje ekipit dhe mysafirëve prishtinas, siç na ka hije”, thuhet mes të tjerash nga “Ultras Vreshtarët”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat