Dardan Berisha: Legia nuk është ndër ekipet më të forta 

Basketboll

Dardan Berisha: Legia nuk është ndër ekipet më të forta 

Nga: Kemajl Goca Më: 7 korrik 2019 Në ora: 15:51
Dardan Berisha puth Kupën

Muaj shtator është muaj i sfidave për kampionin e Kosovës, Z Mobile Prishtina. Bardhekaltrit janë të vetmit që përfaqësojnë Kosovën në garat e Champions League në basketboll. Z Mobile Prishtina është skuadra më e mirë në trojet shqiptare në basketboll, e cila me lojëra të mira dhe rezultate befasoi për të mirë të gjithë në garat evropiane në edicionin që e lamë pas.

Image

Prishtina ka një lider që iu priu sukseseve të deritashme të saja. Ai është Dardan Berisha, si makineri në secilën ndeshje. Basketbollisti Berisha është alfa dhe omega e klubit bardhekaltër, i cili thotë se çdo ndeshje në garat evropiane është e vështirë.

“Dali”, njëherësh anëtar i kombëtares së Kosovës, tha se Prishtina do të jetë edhe më e fortë se në edicionin paraprak, madje synon që t’i tejkalojnë rezultatet që i arritën në edicionin që e lamë pas qoftë në Kosovë qoftë në rrafshin ndërkombëtar!  

Në Champions League Prishtina do të përballet me skuadrën polake, Legia Varshava. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 17 shtator në Prishtinë, kurse ajo e kthimit më 20 shtator në Varshavë. Nëse skuadra e Prishtinës e kalon Legian, atëherë do të ndeshet Nizhny Novgorod nga Rusia.  

Një fakt interesant është se Berisha e njeh shumë mirë cilësinë e ligës polake, pasi që një kohë ka luajtur në at kampionat, si për ekipet Polonia Varshava (2008-2010) e Anwil Wloclawek (2010–2012) dhe ka qenë edhe reprezentues i Polonisë.

“Bota sot”: Z Mobile Prishtina do të ballafaqohet me ekipin polak Legia Varshava. A është ndeshje shumë e vështirë?
Dardan Berisha:
Çdo ndeshje në Champions League është e vështirë për secilën ekip, por Legia nuk është ndër ekipet më të forta, edicionin e fundit kanë përfunduar në pozitën e 8-të në ligën polake. Ata janë inkuadruar në Superligë qe 2-3 vite. Besoj që Prishtina do ta kaloj këtë kundërshtar.

“Bota sot”: Dardan, prej periudhave më të mira keni luajtur në Poloni, sa keni njohuri për Legia-n dhe ku janë të rrezikshëm?
Dardan Berisha:
Në periudhën kur kam luajtur në Ligën e Polonisë, Legia Varshava ka qenë në divizionin e dytë dhe të parë, domethënë nuk kam luajtur kundër kësaj ekipe asnjëherë për 6 vite sa kam luajtur në Poloni. 

“Bota sot”: A mendoni se Prishtina do të jetë edhe më e fortë se në edicionin e kaluar në garat evropiane?

Dardan Berisha: Shpresoj që do të jetë edhe më e fortë dhe mi përsërit e pse jo edhe mi tejkaluar sukseset e vitit të kaluar. A do të jete ashtu koha do ta dëshmon. 

Image

“Bota sot”: Ka kohë deri te kampionati i ri, a shpresoni se kampionati ynë do të jetë më i fortë, të paktën Prishtina të ketë rival më të denjë?
Dardan Berisha:
Besoj që do të jetë ende më e fortë, plot ekipe po shpresojnë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare, çka është mirë për klube dhe ligën, kur i shtohet këtu që u votua edhe ligji për sponsorizim të sportit, kështu që besoj që ka me pas ekipe më të forta dhe cilësore se vitet që lamë pas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat