Fisnik Rugova: E presim Britaninë në betejën e madhe

Basketboll

Fisnik Rugova: E presim Britaninë në betejën e madhe

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 11:30
Fisnik Rugova: E presim Britaninë në betejën e madhe

Basketbollistët e Kosovës janë duke stërvitur intensivisht për ndeshjet parakualifikuese për Eurobasket 2021. 

Ekipit i janë bashkuar edhe Dardan Kapiti, Meriton Ismaili dhe Atik Koshi, që ishin me Kosovën U20 në Evropianin në Portugali, Divizioni B. 

Qendra e Kosovës, Fisnik Rugova, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve deri më tani. “Kemi filluar më 15 korrik dhe deri më tani kanë shkuar shumë mirë. Kemi zhvilluar dy ndeshje miqësore me Sllovakinë, ku në sfidën e parë kemi mundur të fitojmë, derisa në atë të dytë ndikoi lodhja. Tashmë kemi edhe dy miqësore me Shqipërinë që na ndihmojnë të eliminojnë gabimet para ndeshjeve zyrtare”, ka thënë Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.  

Kosova të premten nga ora 19:00 zhvillon miqësoren me Shqipërinë, derisa e dyta do të jetë të shtunën nga ora 18:00. Me kërkesë të përzgjedhësit takimet zhvillohen me dyer të mbyllura për publikun, vetëm për mediat e interesuara. 

Dardanët janë në grup me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, ku fituesi i grupit kualifikohet tutje. “Britania është cilësor favoritja e grupit, por mendoj se Luksemburgu ka një ekip shumë të mirë. Nuk bën të nënçmohet. Secila ka gjasat e saj.

Ne do të luajmë për fitore në çdo ndeshje. Kemi përparësinë se ndeshja e dyta dhe e tretë zhvillohen në shtëpinë tonë. Sfida e parë është shumë e rëndësishme dhe do të mundohemi të fitojmë, e pastaj e presim Britaninë në betejën e madhe”. 

Ai foli edhe për rëndësinë që kanë publiku për takimet në shtëpi. “Kemi luajtur edhe më herët në Mitrovicë dhe atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme. Besoj se kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Shpresoj shumë në ndihmën e tyre dhe të kualifikohemi tutje”, përfundoi Fisnik Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat