Trajnerët dhe basketbollistët amerikanë impresionohen me Kosovën

Basketboll

Trajnerët dhe basketbollistët amerikanë impresionohen me Kosovën

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 12:55
Trajnerët dhe basketbollistët amerikanë impresionohen me Kosovën

Nga 5 shtatori, një delegacion prej 20 personave po qëndrojnë në Kosovë, për t'u njohur me historinë dhe basketbollin e Kosovës.

Trajnerët dhe basketbollistët e rinj amerikanë kanë vizituar Prizrenin, Suharekën, si dhe disa vende të Kosovës, duke u njohur nga afër me historinë e vendit, por gjithashtu edhe me historinë e basketbollit të Kosovës, ku të enjten ishin në zyrat e FBK-së, ku janë pritur nga zyrtarët e Federatës, si dhe basketbollistët e Kosovës, Mikaile Tmusiq dhe Divine Myles.

Më herët, në muajin qershor, një delegacion prej 20 anëtarëve ishte në një kamp në Teksas, SHBA, derisa tani Federata e Basketbollit e Kosovës, po i mirëpret delegacionin amerikan.

Kjo është mundësuar falë bashkëpunimit Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Ambasadës amerikane në Prishtinë. Basketbollistët nga Kosova ishin përzgjedhur në bazë të Programit të Lidershipit Rinor përmes Sportit (YLS).

Ivan Tabanin, projekt menaxher në “PH International” ka folur për përshtypjet e tij lidhur me Kosovën. “Jemi në këtë “Youth and Leadership” programin, sponsorizuar nga “Sports Diplomacy” në bashkëpunim me TBE (The Basketball Embassy) dhe Ambasadën Amerikane. Në qershor e kemi pasur grupin nga Kosova, e tash i kemi 20 persona (basketbollistë, trajnerë) nga Amerika në Kosovë.

Po fokusohemi në udhëheqje, basketboll, si dhe, si sportistët munden me i ndihmu komunitetit. Kemi pasur disa stërvitje me fëmijët të nacionalitet shqiptar dhe serb, kemi vizituar fshatin ndërkombëtar, hendikosin, ku qëllimi ynë ka qenë informimi rreth basketbollit në karroca dhe kemi kaluar kohë me fëmijët me aftësi të kufizuara. Po ashtu kemi vizituar edhe Prizrenin dhe Suharekën”, është shprehur ai për faqen zyrtare të FBK-së.

Basketbollistja e re, Grace Bascon, tregoi për përshtypjet e saj për Kosovën. “Më ka pëlqyer shumë Kosova. Gjithashtu më ka pëlqyer se si është basketbolli këtu, Përfaqësuesja si dhe gjeneratat e reja. Kam takuar shumë njerëz në Kosovë, që na kanë pritur shumë mirë. Besoj që edhe pasi të kthehem në shtëpi, do të mbaj kontakte. Të gjithë kanë qenë shumë të mirë me ne. Do të doja sërish të vija”, theksoi Bascon për faqen zyrtare të basketbollit.

Edhe Austin Kenwisher-it, i ka pëlqyer shumë Kosova. “Njerëzit këtu janë shumë mikpritës dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Është shumë e rëndësishme të shohësh kultura të ndryshme. Gjithashtu kemi parë duke luajtur serbët dhe shqiptarët së bashku, kjo gjithashtu ka shumë rëndësi. Më ka pëlqyer shumë Kosova. Edhe njerëzit, edhe ushqimi. Kemi kaluar shumë mirë”, deklaroi basketbollisti i ri amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat