Java Evropiane e Sportit

Basketboll

Java Evropiane e Sportit

Më: 24 shtator 2019 Në ora: 10:47
Java Evropiane e Sportit

Me konferencën Forumi i Komitetit Olimpik të Kosovës për Sportin, është hapur edhe zyrtarisht Java Evropiane e Sportit, që po mbahet nën patronatin e Ministrit për Kulturë Rini e Sport, Kujtim Gashi.

Krahas ministrit Gashi që e bëri hapjen e Forumit, të pranishëm të hënën në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë, ishin edhe dhjetëra përfaqësues të MKRS-së, përfaqësuesit më të lartë të federatave sportive, komunat, biznesi, si dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) në këtë aktivitet e përfaqësuan Elvira Dushku – Sekretare e Përgjithshme dhe Edita Medunjanin – Zyrtare Administrative në FBK.

Temat që u trajtuan ishin: Ligji për Sponsorizim, Kategorizimi i Sportit, Sportistëve dhe Trajnerëve, ndërsa interesim të madh zgjoi edhe çështja e mbylljes së memorandumeve nga MKRS për federatat sportive, temë kjo e propozuar nga federatat.

“Pres që sot konkluzionet të jenë në dobi të sportit, temat që do trajtohen uroj të sjellin idetë dhe planet konkrete që do të avancojnë sportin në Kosovë. Që nga marrja e detyrës jam munduar maksimalisht të përmirësoj infrastrukturën sportive dhe të kemi imazh të mirë sportiv në arenën ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ministri Gashi, i cili më pas dha sqarimet e kërkuara nga federatat për mbylljen e memorandumeve.

Pjesëmarrës në panel për të diskutuar për Ligjin për Sponsorizim ishte edhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, i cili dha sqarimet e nevojshme për bizneset që mund të sponsorizojnë në sport dhe të cilat do të kenë lehtësira nga tatimi në fitim.

Java Evropiane e Sportit do të vazhdojë deri më 30 shtator 2019, ku pritet të organizohen aktivitete të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat