Fillon edicioni i ri, Fetahu me mesazh

Basketboll

Fillon edicioni i ri, Fetahu me mesazh

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 10:21
Fetahu

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka një mesazh për komunitetin e basketbollit.

“Sot fillon edicioni i ri, 2019-2020 në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas organizimit të suksesshëm të Superkupës, presim që edicioni i ri të vazhdojë në mënyrën më të mirë të mundshme, me shumë tifozë në tribuna dhe shumë lojëra të bukura në parket. 
Këtë edicion është rikthyer Peja, që i ka munguar shumë basketbollit të Kosovës dhe besoj se, Superliga do të jetë atraktive dhe me shumë përballje interesante. 

Gjashtë skuadra do të luajnë në “Play-off”, vendi i shtatë në “Play-Out” dhe dy vendet e fundit do të largohen nga elita. Kjo pritet të bëjë shumë interesante edicionin e ri, ku do të garohet deri në fund për çdo pozitë. Rikthimi i Pejës, por edhe përforcimi i skuadrave me lojtarë vendorë dhe të huaj, bënë që edicioni i ri të jetë shumë atraktiv, kurse adhuruesit e basketbollit çdo ndeshje mund ta përcjellin edhe në platformën Art Motion, si dhe me statistika ‘live’ në faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës, kurse adhuruesit e basketbollit do të informohen për çdo risi në faqen zyrtare, si dhe në rrjetet sociale të FBK-së.

Gjithashtu për herë të parë do të jetë edhe Liga e Parë e Femrave, në mënyrë që garat të jenë më interesante dhe të masivizohet më shumë basketbolli në konkurrencën e femrave.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) i kushton shumë rëndësi edhe gjeneratave të reja, ku do të vazhdon përkrahja për ligat nga U12 deri në U18, në të dyja konkurrencat. 
FBK-ja ka bërë të gjitha përgatitjet e mundshme për edicionin e ri në të gjitha ligat dhe urojmë që të jetë edicion i suksesshëm për basketbollin e Kosovës. 
Ashtu siç kemi qenë gjithmonë afër klubeve, ashtu do të jemi edhe në edicionin e ri dhe përkrahja maksimale nuk do të ndalet asnjëherë. 

Për ne, shumë të rëndësishme janë edhe garat ndërkombëtare, andaj u urojmë sukses të gjitha klubeve pjesëmarrëse dhe shpresojmë se do të kenë rezultate sa më pozitive në arenën evropiane. Përveç klubeve në konkurrencën e meshkujve, kësaj radhe edhe Prishtina te femrat do t’i rikthejë emocionet e garave evropiane me pjesëmarrjen e saj në grupet e FIBA Europe Cup Women. Djemve dhe vashave u urojmë shumë suksese. Suksese të gjitha klubeve në edicionin e ri”, është mesazhi i Fetahut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat