Ferati: Fati ishte në anën e kombëtares së Kosovës  - Bota Sot
Ferati: Fati ishte në anën e kombëtares së Kosovës 

Basketboll

Ferati: Fati ishte në anën e kombëtares së Kosovës 

Nga: Kemajl Goca Më: 29 tetor 2019 Në ora: 17:36

Kombëtarja e Kosovës (meshkujt) ka mësuar rivalët e para-kualifikimeve për FIBA Kupën e Botës 2023 në basketboll. Kosova do të jetë në Grupin B, së bashku me Islandën, Sllovakinë dhe Luksemburgun. Një short jo i lehtë për Kosovën, por që ka gjasa që arrijë kualifikimin. Dy skuadrat e para e sigurojnë vizën për më tej. Ish basketbollisti i mirënjohur Ismet Ferati tha se kombëtarja jonë ka gjasa shumë të mira që të kalojë grupin.

Ai ka folur për secilin rival të Kosovës dhe për gjasat e kombëtares tonë.

“Nëse ndonjëherë nuk kemi pasur fat në short për kualifikime të ndryshme, kësaj radhe fati ishte në anën tonë sepse me të gjithë kundërshtarët kemi gjasa shumë të mira për fitore.

Luksemburgun e njohim të gjithë pasi që kemi qenë në grup me ta dhe i dijmë kualitetet e tyre dhe realisht këtu duhet pritur dy fitore. Sllovakia ka përbërje kualitative por jo edhe të pamposhtur, ndërsa edhe pse të gjithë mendojnë që Islanda do të jetë kundërshtar i lehtë, personalisht mendoj që është kundërshtari më serioz në grup sepse basketbolli në Islandë është në ngritje shumë të madhe kohëve të fundit”, thotë Ferati për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Ish basketbollisti dhe aktualisht edhe trajner, tha se e mira e të mirës është që Kosova mos të ballafaqohet me lëndime të ndonjë lojtarit kyq para këtyre sfidave.

“Shpresoj që të gjithë lojtarët të jenë pa lëndime dhe në formë të mirë sepse gjasat janë shumë të mira për ta kaluar grupin”, thotë Ferati. Kosova ka mundësi të mira që secilin rival ta studiojë mirë dhe t’i shoh pikat më të forta ndaj tyre.  “Takimet do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, pra, Kosova do të luajë gjashtë ndeshje në grup.

Ndeshjet do të zhvillohen gjatë periudhës 17-25 shkurt 2020, 23 nëntor-1 dhjetor 2020 dhe 15-23 shkurt 2021. Dy Kombëtaret e para të grupit do të kualifikohen në Raundin e Dytë”, bëhet e ditur nga Federata e Basketbollit e Kosovës.  Shqipëria është në grupin A me Portugalinë, Bjellorusinë dhe Qipron.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat