Fetahu takon veteranët, temë kryesore prezantimi i formimit të qendrës kombëtare

Basketboll

Fetahu takon veteranët, temë kryesore prezantimi i formimit të qendrës kombëtare

Nga: Më: 30 tetor 2019 Në ora: 19:45
Fetahu takon veteranët, temë kryesore prezantimi i formimit të qendrës kombëtare

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu nga sot i ka filluar takimet me Grupet e Interesit për FBK-në, ku si temë kryesore e ka prezantimin e formimit të Qendrës Kombëtare të Basketbollit të FBK-së dhe Themelimin e Veprimtarisë së Akademive të Basketbollit në Kosovë.  

Takimi i parë sot është zhvilluar me veteranët/et e basketbollit, të cilët ishin të pranishëm në numër të konsiderueshëm e ata janë: Arsim Fehmiu, Mustafa Shahini, Masar Nixha, Valdet Spahija, Resmije Juniku, Blerim Krasniqi dhe Jakup Kasapolli.

Fetahu i falënderoi të pranishmit për kohën që e kanë ndarë për të qenë të pranishëm në këtë takim, në të cilin ai i ka ftuar veteranët për të dhënë edhe ata opinionin e tyre rreth projektit të ri dhe shumë të rëndësishëm për FBK-në. Fetahu i njoftoi të pranishmit për përgatitjet për formimin e Qendrës Kombëtare të Basketbollit dhe Themelimin e Veprimtarisë së Akademive të Basketbollit në Kosovë. Ai ndër të tjera ka thënë se prej vitit 2018, FBK është duke punuar në këtë program dhe tashmë jemi në fazën e takimeve me Grupet e Interesit.  

“Federata e Basketbollit të Kosovës e ka konsideruar përgjegjësi të saj mungesën e një qasjeje unike dhe miratimin e një doktrine të përgjithshme të basketbollit kosovar. Si rrjedhojë, gjatë vitit 2018 udhëheqësia e Federatës identifikoi dhe përmblodhi problemet kryesore me të cilat përballej basketbolli kosovar dhe kërkoi nga organet e saj që të sajojnë një dokument i cili do të përcaktojë parimet themelore të zhvillimit të basketbollit në Kosovë, duke u bazuar në rrethanat dhe gjendjen aktuale në vendin tonë dhe duke analizuar dhe absorbuar praktikat më të mira globale për zhvillimin e basketbollit nën ombrellën e federatave kombëtare, në veçanti të atyre të zbatuara nga federatat dhe vendet me demografi dhe nivel basketbolli të përafërt me vendin tonë”, ka thënë Fetahu.

Të pranishmit janë ndarë shumë të kënaqur me prezantimin e kryetarit Fetahu dhe me punën dhe interesimin e FBK-së në ngritjen e cilësisë së basketbollit, duke filluar nga puna me gjenerata të reja. Ndër të tjera të pranishmit kërkuan nga kryetari Fetahu: - Krijimin e një Komisioni Profesional për identifikimin e talenteve nëpër gjithë Kosovën.

- Të ketë një bashkëpunim të ndërsjellë me ekspertë/veteranë të basketbollit.
- Të fillohet me projektin (QKB), që të jetë si pikënisje, por të përpunohet dhe përmirësohet në vazhdimësi.

- Të bëhet reduktimi i lojtarëve të huaj në 2 dhe të jenë profesionist dhe cilësor.
- Të mos kushtëzohen ekipet për 20 minutat e obliguara për lojtarët e rinj.

- Fokus të veçantë të jetë seleksionimi i trajnerëve për gjenerata më të reja (trajnerët më të vjetër dhe më me eksperiencë të punojnë me këto gjenerata).
- Propozim që Këshilli Profesional të përbëhet edhe nga 1 mjek sportiv, 1 sociolog dhe 1 psikolog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat