Klubet e mirëpresin formimin e qendrës kombëtare - Bota Sot
Klubet e mirëpresin formimin e qendrës kombëtare

Basketboll

Klubet e mirëpresin formimin e qendrës kombëtare

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 18:06
Klubet e mirëpresin formimin e qendrës kombëtare

Në vazhdën e takimeve me Grupet e Interesit për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), numri një i FBK-së, Arben Fetahu e ka zhvilluar një Takim Pune me përfaqësuesit e klubeve të Superligës së Kosovës dhe disa nga njohësit e basketbollit kosovar.

Me këtë rast Fetahu e ka bërë prezantimin e formimit të Qendrës Kombëtare të Basketbollit të FBK-së dhe Themelimin e Veprimtarisë së Akademive të Basketbollit. Fetahu i falënderoi të pranishmit për kohën që e kanë ndarë për të qenë të pranishëm në këtë takim, në të cilin ai i ka ftuar përfaqësuesit e klubeve për të dhënë edhe ata opinionin e tyre rreth projektit të ri dhe shumë të rëndësishëm për FBK-në.

Fetahu i njoftoi të pranishmit për përgatitjet për formimin e Qendrës Kombëtare të Basketbollit dhe Themelimin e Veprimtarisë së Akademive të Basketbollit në Kosovë. Fetahu ndër të tjera ka thënë se prej vitit 2018, FBK është duke punuar në këtë projekt dhe se për të dhe FBK-në ka qenë shumë e rëndësishme të dëgjohen edhe opinionet e palëve të interesit siç janë veteranët e basketbollit dhe klubet, së bashku me njohësit e basketbollit të Kosovës. “Federata e Basketbollit të Kosovës e ka konsideruar përgjegjësi të saj mungesën e një qasjeje unike dhe miratimin e një doktrine të përgjithshme të basketbollit kosovar. Si rrjedhojë, gjatë vitit 2018 ne i kemi identifikuar dhe i kemi përmbledhur problemet kryesore me të cilat përballet basketbolli kosovar dhe kemi kërkuar nga kryetari i Këshillit Profesional, Anton Krump që të përgatisë një dokument i cili do të përcaktojë parimet themelore të zhvillimit të basketbollit në Kosovë, duke u bazuar në rrethanat dhe gjendjen aktuale në vendin tonë dhe duke analizuar dhe absorbuar praktikat më të mira globale për zhvillimin e basketbollit nën ombrellën e federatave kombëtare, në veçanti të atyre të zbatuara nga federatat dhe vendet me demografi dhe nivel basketbolli të përafërt me vendin tonë”, ka thënë Fetahu.

Në anën tjetër përfaqësuesit e klubeve dhe njohësit e basketbollit kosovar të pranishëm në takim, e kanë mirëpritur këtë iniciativë të Federatës së Basketbollit të Kosovës, dhe në të njëjtën kohë kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim në implementimin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm për FBK-në, por edhe për vet klubet. Ndër të tjera të pranishmit kërkuan nga Fetahu:  - Liga U14 (integrimi i djemve në Ligën U14 të vajzave, pra të bëhet ligë miks);

- Të ri-shqyrtohet rregulli për 20 minutat e obliguara për lojtarët e rinj për edicionin e ardhshëm; - Mundësia e formimit të një Lige U20 / si ligë transizion e lojtarëve për në Superligë;

- Fokus në ngritjen e basketbollit parashkollor/basketbollit në çerdhe dhe parashkollor. Duhet theksuar se ky ka qenë takimi i fundit i Kryetarit Fetahu me Grupet e Interesit për FBK-në, me ç’rast ai e prezantoi projektin e ri të FBK-së, formimin e Qendrës Kombëtare të Basketbollit, ndërsa tani i mbetet Bordit të FBK-së në mbledhjen e radhës për të vazhduar me procedurat tjera.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat