Dominim i plotë, bindës dhe premtues i KB Trepça në grupmoshat U-14, U-16 dhe U-18

Basketboll

Dominim i plotë, bindës dhe premtues i KB Trepça në grupmoshat U-14, U-16 dhe U-18

Nga: F.B Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 23:33
Trepça

Ndonëse KB Trepça ekipi senior ndodhet në pozitë jo të mirë bazuar në namin por edhe cilësinë që kishte dikur, një gjë mjaft pozitive dhe shpresëdhënëse në dy vitet e fundit padyshim janë rezultatet kulmore të grupmoshave të reja, që vazhdojnë të dominojnë dhe të jenë në krye të renditjes në të gjitha grupmoshat.

Nën drejtimin e profesor Ilir Selmani për shumë vite krye trajner në KB Trepça dhe pjesë e shtabit teknik të përfaqësueses së Kosovës dhe në bashkëpunim me Imer Tahirin, që po vazhdon të jetë edhe në parket – pjesë e Trepçës, këta djelmosha e ardhmja e nesërme e basketbollit mitrovicas edhe Kosovar, po mësojnë njohuritë elementare të këtij sporti gjithnjë e më atraktiv e rivalizues në vendin tonë.

Selmani është trajner me grupmoshat U-16 dhe U-18 dhe në pjesën e deritashme të Kampionatit për këto grupmosha nuk di për humbje duke kryesuar renditjet bindshëm edhe shumë sigurt.

Po kështu të suksesshëm janë edhe dy grupmoshat tjera të KB Trepça, ajo U-14 dhe U-12, që drejtohen me mjaft sukses nga basketbollisti dhe trajneri Imer Tahiri, deri tani U-14 e Trepçës është bindshëm e para pa humbje, ndërkohë që me U-12 Trepça ka vetëm një humbje në pjesën e deritashme.

Trajneri Ilir Selmani që deri para pak kohe ishte trajner edhe i KB Trepça, ka fjale shumë të mira për përbërjet e grupmoshave të reja të “minatorëve”, duke garantuar se me kushte edhe punë vazhdueshme ardhmëria e Basketbollit por edhe e KB Trepça është e sigurt.

“Përkundër mungesës së kushteve edhe vështirësive financiare që kalon KB Trepça, që ka ndikuar edhe në lëvizjet e vazhdueshme të basketbollistëve të shkollës sonë drejt klubeve tjera në vend, ajo që gëzon është talenti, përkushtimi dhe puna që po bëhet në grupmoshat e reja, që jep garanci për një të ardhme të sigurt të basketbollit dhe të ardhmes së klubit” ka thënë Selmani.

Përndryshe ka vite që shkolla e basketbollit përkatësisht grupmoshat e Trepçës vazhdojnë të sjellin Kupa dhe tituj kampioni në këto grupmosha, që është dëshmi se ish-basketbollistëtë e tash trajnerët vazhdojnë me shumë përkushtim të bartin përvojën dhe dituritë që kanë nga sporti i basketbollit.

Mitrovicasit shpresojnë se këto gjenerata do kenë kushte për të vazhduar kalitjen që do ndikoj në kalitjen e tyre si basketbollistë në rrugëtimin për kthimin e namit të basketbollit në qytetin buzë Ibrit dhe kohën kur Trepça ishte “kala” e pakalueshme qoftë në “Minatori” por edhe në palestrat tjera anekënd Kosovës.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat