Dushku: Trajneri i Kosovës zyrtarizohet në dhjetor

Basketboll

Dushku: Trajneri i Kosovës zyrtarizohet në dhjetor

Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 10:19
Elvira Dushku

Basketbolli i Kosovës çdo ditë e më shumë është duke shënuar ngritje, si nga cilësia, ashtu edhe nga paraqitja e ekipeve kombëtare në arenën evropiane dhe botërore.

Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme në Federatën e Basketbollit të Kosovës, në një intervistë për KosovaPress, ka folur për takimet e mbajtura nga kjo federatë me grupet e interesit duke u shprehur se kanë dashur t’i njoftojnë rreth formimit të iniciativës së FBK-së për formimin e qendrës nacionale të basketbollit, sepse këta të gjithë janë njerëz të basketbollit.

Dushku: Takimet me grupet e interesit kanë qenë shumë të suksesshme

“Bordi i FBK-së, pra me iniciativën e kryetarit të FBK-së, ka vendosur që të mbaj takime me grupe të interesit në shërbim të mbledhjes së informatave të ndryshme nga këta persona që i kanë përbërë grupet e interesit në lidhjen me formimin e qendrës nacionale të basketbollit të Kosovës. Takimi i parë ka qenë me mediat, pastaj takimi i dytë ka qenë me veteranët, më pas ka qenë me trajnerët dhe po ashtu me klube, si dhe me shoqatën e trajnerëve të basketbollit të Kosovës. Të gjitha këto takime kanë qenë shumë të mirëseardhura por në të njëjtën kohë i kemi marrë edhe opinionet e tyre dhe secili prej tyre është treguar i gatshëm që të kontribuojë në mënyrë të ndryshme”, tha Dushku.

Dushku shtoi se bordi i kësaj federatë do të vazhdojë të punojë edhe më shumë për të mirën e këtij sporti. Ajo pohoi se në shtator do të fillojë qendra nacionale në konkurrencën e meshkujve, ndërsa në nëntor ajo e femrave.

Dushku: Do të vazhdojmë të punojmë në të mirë të basketbollit

“Ne do të vazhdojmë të punojmë se kjo është në të mirë të basketbollit, atëherë në muajin nëntor, dhjetor gjithçka do të konkretizohet dhe në fillim të janarit do të fillohet me fillimin e implementimit të qendrës së basketbollit, pra projektit, duke filluar me basketbollistët në këtë rast në konkurrencën e meshkujve, ndërsa në shtator do të fillojmë edhe me konkurrencën e femrave”, tha ajo.

Sa i përket grupit të para kualifikimeve ku gjendet edhe Kosova, Dushku tha se ka shpresa që djelmoshat tanë të arrijnë rezultate të mira, dhe të kualifikohen tutje. Ndërsa sa i përket çështjes së trajnerit, ajo pohoi se në muajin dhjetor FBK, do të dal me emrin e trajnerit që do ta drejtojë Kosovën në këto takime parakualifikuese.

Dushku: Kemi gjasa të kalojmë grupin

“Ne e dimë për Luksemburgun se me çfarë skuadre do të përballemi, në të njëjtën kohë e dimë edhe për Sllovakinë sepse gjatë kësaj vere kemi pasur dy ndeshje miqësore me këtë kombëtare. Islanda është një risi dhe Islanda është një skuadër shumë e fortë dhe është e papërshtatshme për kombëtaren e Kosovës por megjithatë ne kemi filluar vetëm e kemi pritur grupin dhe jemi duke e profilizuar trajnerin. Pra jemi në bisedime me disa trajnerë, për ta profilizuar atë dhe për ta sjellë për të punuar në Kosovë.  Ndeshjen e parë e kemi si vendas më 20 shkurt, pra në Kosovë dhe më pas luajmë me Luksemburgun, pra nëse e kalojmë këtë pengesën e parë me Islandën, nëse arrijmë të fitojmë këtu me ndihmën e tifozëve tanë, atëherë po besoj që edhe me Luksemburgun”, tha ajo.

Kosova tashmë ka vendosur se ku do t’i luajë ndeshjet si vendas. Sipas Dushkut, ato mund të luhen në dy qytete, atë të Prishtinës dhe Rahovecit, mirëpo prioritet i FBK-së, është që ndeshjet të luhen në kryeqytetin e Kosovës.

Dushku: Kosova do t’i luajë ndeshjet si vendas në Prishtinë ose në Rahovec

“Ne duhet të regjistrohemi për parakualifikime, pra është dashur të regjistrohemi dhe ne aty është dashur t’i paraqesim dy deri në tri palestra. Ne i kemi paraqitur këto dy palestra. Prishtina është prioritet dhe opsioni i dytë është në Rahovec. Drejtori i përfaqësuesve të Kosovës, Granit Rugova është duke bërë një punë shumë të mirë, duke kontaktuar me disa lojtarë që në të kaluarën kanë luajtur edhe me përfaqësueset tjera dhe po shpresojmë që do të arrijmë t’i sjellim një deri në dy emra për në muajin shkurt në mënyrë që ata me qenë lojtarë që në të ardhmen të afërt me bart barrën kryesore tek përfaqësuesja e Kosovës”, tha ajo.

Kosova ndeshjen e parë të këtyre para kualifikimeve do ta zhvillojë në shtëpi, ndaj Islandës në shtëpi më 20 shkurt 2020, derisa më 23 shkurt 2020 përballet me Luksemburgun në udhëtim, me dy fitore në këto dy ndeshjet e para Kosova do të rriste shumë gjasat për kualifikim në raundin tjetër.

Tashmë dihet që bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, ka emëruar trajnerët e përfaqësuesve të reja, ku përzgjedhës i Kosovës U20 në konkurrencën e meshkujve është emëruar Mark Rodiqi, derisa i Kosovës U18 te meshkujt do të jetë Bekim Maxhuni, kurse Dritëro Sefaja është emëruar përzgjedhës i Kosovës U16 te meshkujt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat