Maksimumin për Kosovën

Basketboll

Maksimumin për Kosovën

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 15:47
Maksimumin për Kosovën

Kombëtaret e reja të Kosovës sot kanë mësuar kundërshtarët në garat që do të zhvillohen gjatë verës së ardhshme.

Duhet theksuar se Bordi i FIBA Evropës ia ka besuar FBK-së organizimin e FIBA U16 Kampionatit Evropian, Divizioni C. Kjo është hera e tretë radhazi që në Prishtinë do të organizohet një Evropian. Më herët ishte organizuar Evropiani i Divizionit C për U18 te meshkujt dhe Evropiani i Divizionit B U18 për femra.

Ndërkohë, Kosova U16 (M) do të jetë në grup me Shqipërinë, Armeninë, San Marinon, Gjibraltarin dhe Maltën.

Përzgjedhësi i Kosovës U16 (M), Dritëro Sefaja ka komentuar shortin. “Shqipërinë e shoh si kandidatin kryesor për titull. Kemi kohë deri në zhvillimin e Evropianit dhe ne do të analizojmë lojën e tyre. Edhe Armenia nuk është një kundërshtar i lehtë. Gjithsesi edhe në grupin tjetër ka ekipe të mira si Uellsi, Skocia dhe Azerbajxhani. Sigurisht se synimi ynë do të jetë të ngritemi në Divizionin B.

Ne jemi duke shikuar lojtarët që luajnë në trojet shqiptare, por edhe në ligat evropiane dhe në Kosovë. Do të mundohemi të formojnë një ekip sa më të fortë dhe të kemi një kampionat të suksesshëm. Gjithsesi është përparësi që Evropiani do të zhvillohet në Prishtinë, sepse do të kemi edhe përkrahjen e tifozëve në çdo ndeshje. Konkurrenca është e fortë, por ne do të japim maksimumin që të ngritemi në Divizionin B”, është shprehur Sefaja për faqen zyrtare të FBK-së.
Evropiani në Prishtinë do të zhvillohet nga 12 deri më 19 korrik.
Kosova U20 (F) është në grup me Gjermaninë, Zvicrën dhe Ukrainën. Trajneri i Kosovës U20 (F), Furkan Saglik, ka thënë se nuk do të jetë lehtë, megjithatë, do të japin maksimumin.

“Fillimisht mund të them se kemi pasur një short të mirë. Gjermania ka një gjeneratë të shkëlqyeshme dhe do të mundohet të hyjë në Divizionin A, derisa Ukraina ka përvojë në ngjarje të tilla, kurse Zvicra ka marrë një lojtare amerikane. Nuk do të kemi aspak lehtë dhe do të një sfidë e fortë ndaj secilit kundërshtar. E di se nuk jemi favoritë në këtë turne, megjithatë, ne do të japim maksimumin në fushë. Duhet të krijojmë një atmosferë të mirë në ekip", theksoi ndër të tjera Saglik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat