Orlando befason Lakersat, humbasin edhe Rockets

Basketboll

Orlando befason Lakersat, humbasin edhe Rockets

Më: 16 janar 2020 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Pas 9 fitoresh radhazi Los Angeles Lakers dorëzohen në Staples Center ndaj Orlando Magic duke pësuar disfatën e 8-të sezonale. Kalifornianët u mposhtën me rezultatin minimal 118-119, në një sfidë ku më i miri mbi parket ishte Fultz i skuadrës nga Florida i cili regjistroi një triple-double me 21 pikë 11 rebound dhe 10 asiste.

Ndërkohë te Lakers po fillon të ndihet mungesa e Anthony Davis pasi pikëshënuesi më i mirë në këtë sfidë për skuadrën nga Los Angelesi ishte Cook me 22 pikë, ndërsa LeBron James spikati me 19 pikë dhe 19 asiste.

Një fitore të madhe regjistroi edhe Toronto Raptors në parketin e Oklahoma City Thunder me rezultatin 130-121. Të pamjaftueshme për vendasit 48 pikët e dyshes italo-gjermane, Gallinari-Schroder. Paraqitja magjike e Russell Westbrook nuk i mjaftoi Houston Rockets që u thye brenda në Toyota Center nga Portland Trail Blazzers me shifrat 107-117, shkruan Supersport.

31 pikë 11 rebound dhe 12 asiste koleksionoi Westbrook në këtë sfidë por diferencën e bënë Lillard dhe McCollum të cilët shënuan 49 pikë në total. Poshtë pritshmërive paraqitja e James Harden i cili realizoi në total vetëm 13 pikë. Buzëqesh edhe Denver Nuggets. Skuadra nga Colorado mposhti lehtësisht në Pepsi Center me rezultatin 100-86 Charlotte Hornets. Me këtë sukses Denver ka ruajtur vendin e dytë në konferencën e Perëndimit.

Një fitore të rëndësishme mori edhe Miami Heat që në American Airlines Arena në Florida kaloi me shifrat 106-100 San Antonio Spurs. Nunn ishte thjeshtë fantastik në këtë sfidë me 33 pikë ndërkohë që 30 pikët e DeRozan ishin të pamjaftueshme për Spurs. Miami falë kësaj fitoreje u ngjit në vendin e 2-të të Konferencës së Lindjes duke zbritur në vendin e 3-të Boston Celtics.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat