Houstonit s’i mjaftuan 69 pikët e Harden dhe Westbrook

Basketboll

Houstonit s’i mjaftuan 69 pikët e Harden dhe Westbrook

Më: 19 janar 2020 Në ora: 18:01
Houstonit s’i mjaftuan 69 pikët e Harden dhe Westbrook

Pavarësisht formës së shkëlqyer të Harden dhe Westbrook, që shënuan 69 pikë, rikuperuan 15 topa dhe dhanë 14 asiste të dy së bashku, këto shifra nuk mjaftuan që Houston Rockets të triumfonte ndaj Los Angelse Lakers.

Në “Toyota Center” të Houstonit, miqtë ia dolën të triumfojnë me rezultatin final 115-124, falë një paraqitjeje të shkëlqyer të LeBron James, që regjistroi 31 pikë, 5 rikuperime dhe 12 asiste, ndërsa vendimtar ishte fraksioni i tretë, që Lakers e fituan bindshëm 17-32.

Pas dy humbjeve radhazi në shtëpi, ka ardhur edhe reagimi i Oklahoma City Thunder, që arriti të triumfojë me rezultatin final 119-106 përballë Portland Trail Blazers, në një sfidë ku vendasit patën kontrollin e lojës gjatë gjithë kohës, pavarësisht formës së mirë të Lillard dhe Trent te miqtë.

Vazhdojnë ngjitjen kampionët në fuqi të Toronto Raptors, që regjistruan triumfin e tretë radhazi, këtë herë me shifrat 112-122 në transfertën përballë Minnesotta Timberwolves, rezultat ky që i ngjit në vendin e tretë në Konferencën e Lindjes.

Pas 10 humbjeve radhazi, rikthehet te suksesi edhe Golden State Warriors, që mposhti me rezultatin 109-95 Orlando Magic, në “Chase Center” të San Franciscos, në një takim ku Russell ishte protagonist me 26 pikë të shënuara.

Warriors kanë qenë skuadra lider e viteve të fundit në NBA, për këtë sezon janë shpërbërë dhe në 44 ndeshjet e para numërojnë vetëm 10 fitore e 34 humbje, duke u renditur në vendin e fundit në Konferencën e Perëndimit.

Në sfidat e tjera, Philadelphia 76ers triumfoi me rezultatin e ngushtë 87-90 përballë New York Knicks, Detroit Pistons mposhtën bindshëm Atlanta Hawks 136-103, ndërsa Utah Jazz fitoi me rezultatin 123-101 përballë Sacramento Kings.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat