Clippers triumfojnë ndaj Heat

Basketboll

Clippers triumfojnë ndaj Heat

Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 16:26
Clippers triumfojnë ndaj Heat

Përballja që tërhoqi më shumë vëmendjen në NBA ishte pa dyshim ajo mes Los Angeles Clippers dhe Miami Heat në “Staples Center”, që u mbyll me fitoren e kalifornianëve 128-111. Provë shumë e mirë, sa i përket lojës kolektive, e skuadrës së drejtuar nga Doc Rivers, me plot 8 basketbollistë me numër dyshifror pikësh. Më i miri rezultoi Paul George me “double double”, 23 pikë dhe 10 “rebound”, ndërsa në radhët e ekipit nga Florida spikati Derrick Jones Jr. me 25 pikë e 9 rikuperime.

Vjen fitorja e pestë radhazi për Boston Cetlics, që në “TD Garden” iu imponuan Orlando Magic me shifrat 116-100. Fitoi duartrokitjet e publikut Jayson Tatum, autor i 33 pikëve, me Celtics që ngjiten në vendin e tretë në Lindje. Për Magic nuk mjaftuan 26 pikët e Evan Fournier dhe “double doble” i (23 pikë e 10 rikuperime) i Aaron Gordon.

Vijon momenti negativ për Utah Jazz, që koleksionuan humbjen e pestë radhazi 95-98 ndaj Denver Nuggets. Fitore me përmbysje rezultati nga ana e skuadrës nga Colorado, që edhe pse kishte vetëm 7 lojtarë në dispozicion, arriti të triumfonte falë Nikola Jokicit, autor i “triple double”, 30 pikë, plot 21 “rebound”, dhe 10 asiste, ndërsa Jamal Murray shtoi 31 pikë.

Toronto Raptors “luajtën sinfoninë e 12-të”, duke mposhtur në frymën e fundit 119-118 Indiana Pacers. Skenën në këtë përballje e rrëmbyen Kyle Lowry dhe Serge Ibaka (32 dhe 30 pikë), që jo rastësisht ishin protagonistët e aksionit sulmues që u dhuroi kanadezëve suksesin 30 sekonda para rënies së sirenës për përfundimit e përballjes.

Dallas Mavericks, pa shërbimet e talentit slloven Luka Doncic, humbën në shtëpi përballë Memphis Grizzlies 107-121. Shënuesi më i mirë i skuadrës nda Tennessee ishte i zakonshmi Ja Morant me 21 pikë, ndërsa për teksanët rezultuan të pamjaftueshme 32 pikët (plus 12 “rebound”) të Kristaps Porzingis.

Rezultatet:

Detroit Pistons.Phoenix Suns 116-108

Boston Celtics-Orlando Magic 116-100

Brooklyn Nets-Golden State Warriors 129-88

Toronto Raptors-Indiana Pacers 119-118

Minnesota Timberwolves-Atlanta Hawks 120-127

Oklahoma City Thunder-Cleveland Cavaliers 109-103

Dallas Mavericks-Memphis Grizzlies 107-121

Utah Jazz-Denver Nuggets 95-98

Los Angeles Clippers-Miami Heat 128-111

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat