Fetahu shpreh mirënjohjen për të gjithë akterët...

Basketboll

Fetahu shpreh mirënjohjen për të gjithë akterët...

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 10:19
Fetahu shpreh mirënjohjen për të gjithë akterët...

Pas të gjitha emocioneve që na i dhuroi Final 8 Kupa e Kosovës në javën që po e lëmë pas, më lejoni që të shprehë mirënjohjen time më të thellë për të gjithë akterët e saj.

Para së gjithash, e përgëzoj organizatorin e këtij edicioni të Final 8 të Kupës së Kosovës, KB Rahovecin për realizimin e mrekullueshëm dhe implementimin e përpiktë të të gjitha obligimeve të parapara në manualin e FBK-së për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës.

Falënderoj nga zemra stafin e zyrës ekzekutive të FBK-së për angazhimin e pashoq përkrah organizatorëve këto ditë. Falë këtij angazhimi dhe komunikimit e koordinimit të pandërprerë me organizatorin, ne ia dolëm të arrijmë deri tek rezultati, të cilin të gjithë e dëshmuam në festën e basketbollit, të cilës të gjithë iu kënaqëm të shtunën mbrëma.

Falënderoj ekipet pjesëmarrëse të këtij turneu për lojën dhe sjelljet e treguara në terren, si dhe dëshiroj të shfrytëzoj rastin që t’ua uroj KB Bashkimit (Femrat) dhe KB Pejës (Meshkujt) trofeun e Kupës së Kosovës të fituar pas triumfit në finale ndaj KB Mabetex Prishtinës, respektivisht KB Golden Eagle Yllit nga Suhareka.

Spektakle të tilla të gjithë neve që punojmë për këtë sport dhe e duam atë, na shërbejnë si impuls dhe shtytje shtesë për të vazhduar me angazhimet tona.

Falënderoj edhe Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe gjakftohtësinë e treguar në menaxhimin e situatave në palestër dhe rreth saj.

Falënderoj tifozët e të gjitha ekipeve, të cilat në pjesën më të madhe të kohës dëshmuan se si duhet përkrahur ekipet e zemrës.

Po ashtu dua të falënderoj Ministren për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës, z. Vlora Dumoshi që na nderoi me pjesëmarrjen e saj në të dyja ndeshjet finale, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të MKRS-së, z. Veton Firzi dhe Drejtorin e DSK-së, z.Ibër Alaj.

Edicioni 2019/20 po dëshmon se pothuajse të gjtiha skuadrat e Superligës së Kosovës mund ta mposhtin njëra-tjetrën dhe kjo e bën luftën për titullin e kampionit të Kosovës, por edhe të mbijetesës në elitë, shumë më interesante.

Krahas kësaj të enjten që po vjen, Përfaqësuesja A e Kosovës e fillon rrugëtimin e saj në parakualifikimet për FIBA Kupën e Botës 2023 me ndeshjen kundër Islandës në Prishtinë dhe pas katër ditëve kundër Luksemburgut si mysafirë.

Djemtë tanë kanë nevojë për përkrahjen e të gjithë tifozëve nga anembanë Kosova, andaj mos hezitoni, sepse më 20 Shkurt në ora 19:00 ju presim të gjithëve në palestrën e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Ju faleminderit nga zemra, shkruan Arben Fetahu, kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat