Dushku: FBK-ja e vlerëson punën e gjithsecilit – nuk ka dallime gjinore 

Basketboll

Dushku: FBK-ja e vlerëson punën e gjithsecilit – nuk ka dallime gjinore 

Më: 10 mars 2020 Në ora: 10:17
Dushku: FBK-ja e vlerëson punën e gjithsecilit – nuk ka dallime gjinore 

“Unë vij prej një Federate, e cila për vitin e dytë radhazi në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Olimpik të Kosovës përfaqësohet nga dy femra dhe një mashkull. Pra FBK në këtë Asamble përfaqësohet nga Kryetari, Arben Fetahu, Linda Shala-anëtare e Bordit dhe unë në cilësinë e Sekretares së Përgjithshme, ani pse KOK-u kërkon që të paktën nga tre delegatë, një të jetë femër. Dhe kjo gjë dëshmon më së miri se për FBK-në nuk është me rëndësi a je femër apo mashkull, por vetëm a ke zotësi dhe a je në gjendje të marrësh përgjegjësi.

Fakti se në zyren ekzekutive të FBK-së janë edhe tri vajza të tjera, Artina Hasani – Menaxhere e Zyrës, Edita Medunjanin – Zyrtare Administrative/Menaxhere e Përfaqësueses A dhe Nadire Kajashi – Zyrtare e Financave edhe më shumë e përforcon faktin se në FBK ka rëndësi vlera dhe puna. Por kjo nuk duhet të na vetëkënaq, sepse ne këtë duhet ta bartim edhe tek klubet/shoqatat anëtare të FBK-së”, ka thënë Elvira Dushku – Sekretare e Përgjithshme e FBK-së në Forumin e parë për Vajzat Lidere në Sport, të organizuar sot nga KOK-u në kuadër të festës së 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar sot Forumin e parë për Vajzat Lidere në Sport, i cili u mbajt në kuadër të festës së 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Pjesëmarrëse ishte edhe ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, si dhe dhjetëra femra lidere të federatave sportive në Kosovë, të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, trajnere, sportiste etj.

Drejtuesit e KOK-ut, presidenti, Besim Hasani dhe Sekretari i Përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, duke uruar femrat për 8 Mars, folën për barazinë gjinore, e cila mbetet një ndër top-prioritetet e KOK-ut.

“Çdo herë për 8 mars do të organizohet një forum i tillë dhe besoj se forum do të marrë një karakter ndërkombëtar. Sporti mbetet një platformë e fuqishme dhe besoj se do të jemi shembull i mirë për barazinë gjinore. Në statutin e KOK-ut e kemi përfshirë që së paku shtatë femra të jenë në Bordin Ekzekutiv, ndërsa teorikisht ekziston mundësia me qenë 10 meshkuj me 7 femra. Nëse ju do të jeni të angazhuara mundësia është me qenë 9/8”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.

Edhe ministrja Dumoshi shprehu përkrahjen e MKRS-së për përfshirjen e vajzave në sport.

“Vajzat në Kosovë kanë rol të rëndësishëm në sport. Unë si ministre do të jem e suksesshme vetëm falë bashkëpunimit të ngushtë që do ta kemi, si dhe për mbështetjen e klubeve, sepse është bërë një farë dallimi mes klubeve të meshkujve dhe femrave. Kosovën do ta qesim në planin e parë të sportit dhe rinisë. Ky është vit Olimpik dhe Kosova në Lojërat Olimpike Tokio 2020, do të përfaqësohet me shumë femra”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, e cila përmendi edhe infrastrukturën sportive si njërën nga prioritetet e MKRS-së.

Në Forumin e mbajtur në Hotel Sirius u debatua për orientimet dhe strategjinë e përfshirjes së barabartë të vajzave në sport dhe në udhëheqje të sportit për të dy gjinitë!

Gjatë diskutimeve të frytshme, vajzat duke vlerësuar lart forumin e organizuar, folën për sfidat, idetë dhe format e bashkëpunimit, se si mund të fuqizohet roli i femrës në sport dhe po ashtu të rritet pjesëmarrja e vajzave në sport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat