Sfida kryesore në Prishtinë

Basketboll

Sfida kryesore në Prishtinë

Më: 13 mars 2020 Në ora: 12:22
Sfida kryesore në Prishtinë

Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 28-të e Superligës së Kosovës në basketboll, ku takimet do të zhvillohen pa shikues dhe me një numër të caktuar të zyrtarëve të ndeshjeve. Përballjet do të zhvillohen pa shikues, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe mbetet në fuqi deri në një vendim të ardhshëm, në varësi të situatës.

Takimi i parë është në mes Feronikelit dhe Golden Eagle Yllit. Nikli ka pesë fitore dhe 19 humbje, derisa Ylli 16 fitore dhe tetë humbje.

Sfidë interesante pritet ndërmjet Pejës dhe Ponte Prizrenit. Pejanët janë në formë të mirë, ku renditen në vendin e katërt me 15 fitore dhe nëntë humbje, derisa Prizreni është në vendin e gjashtë me 13 fitore dhe 11 humbje.

Derbi i kësaj xhiro është Sigal Prishtina-Rahoveci, që zhvillohet të dielën në kryeqytet. Prishtina ndodhet në vendin e parë me 42 pikë, një më shumë se Rahoveci. Në garat e Superligës këtë edicion, Vreshtarët kanë triumfuar tri herë ndaj prishtinasve, derisa këto dy skuadra janë ballafaquar edhe në finale të “Play-off”-it, Kupës dhe Superkupës, ku në tri garat fituan prishtinasit.

Kjo xhiro do të përmbyllet me ndeshjen Lipjani-Bashkimi. Lipjanasit kanë dy fitore dhe 22 humbje, duke u renditur në vendin e fundit, kurse prizrenasit kanë 15 fitore dhe nëntë humbje. Trepça pushon në këtë xhiro.

Gjithashtu Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) kërkon edhe një herë nga të gjithë anëtarët e saj (klubet/shkollat/shoqatat) që të bashkëpunojnë ngushtë me drejtorititë e sportit në komunat e tyre përkatëse për dezinfektimin e zhveshtoreve dhe hapësirave të tjera për rreth në mënyrë që higjiena e objekteve sportive të jetë në nivelin e kërkuar duke marr parasysh rëndësinë e shëndetit të sportistëve dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në një ndeshje basketbolli.

FBK-ja kërkon nga të gjitha klubet e saj, në të dyja konkurrencat dhe në të gjitha gjeneratat që të evitojnë përshëndetjen me duar para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Të gjitha këto janë masa mbrojtëse ndaj koronavirusit COVID-19.

Superliga - Java 28

E shtunë

17:00 Feronikeli - Golden Eagle Ylli

19:00 Peja - Ponte Prizreni

E diel

17:00 Sigal Prishtina - Rahoveci

19:00 Lipjani - Bashkimi

TREPÇA/ pushon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat