Rugova: Të gjithë basketbollistët e Kosovës duhet t’i përmbahen...

Basketboll

Rugova: Të gjithë basketbollistët e Kosovës duhet t’i përmbahen...

Më: 14 prill 2020 Në ora: 13:03
Rugova: Të gjithë basketbollistët e Kosovës duhet t’i përmbahen...

Pandemia Covid-19 që ka prekur shumë shtete anembanë botës, ka bërë që të ndërpriten ngjarjet sportive. Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë, ku është anuluar Superliga në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave, derisa Bordi i FIBA Evropës ka vendosur që edhe Kampionatet Evropiane për grupmosha të reja të shtyhen për vitin e ardhshëm.

Megjithatë, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) përveç kampanjës për të qëndruar në shtëpi dhe për të respektuar rregullat nga Qeveria e Kosovës, po qëndron vazhdimisht afër trajnerëve dhe lojtarëve.

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, ka folur për gjendjen e basketbollistëve/eve të Kosovës. “Ne gjatë kësaj periudhe kemi qenë afër lojtarëve/eve të Kosovës dhe trajnerëve. Shpresojmë se kjo periudhë do të përfundojë sa më shpejtë, megjithatë, ju kemi ofruar një program për tu stërvitur në shtëpi, në mënyrë që të jenë sa më aktivë për edicionin e ardhshëm”, ka thënë Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.

Edhe pse Kosova A, nuk ka ndeshje deri në fund të nëntorit, ekipi kombëtar ka pasur mbledhje në platformën “Zoom”. “Duhet të jemi sa më të bashkuar në këto momente. Kemi pasur një mbledhje me stafin. Fatmirësisht të gjithë lojtarët janë mirë me shëndet dhe po punojnë individualisht nga shtëpia. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, shtoi tutje drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës.

Në këtë kohë të pazakonshme për lojtarët, të gjithë po i nënshtrohen një programi të përgatitur nga trajneri kondicional i Kosovës, Enver Tahiraj. “Kemi përgatitur një program shumë të mirë në këtë kohë të vështirë. Të gjithë basketbollistët e Kosovës duhet t’i përmbahen, në mënyrë që të ruajnë formën fizike dhe të jenë të gatshëm, si për skuadrat e tyre, ashtu edhe për Kosovën”.

Ditë më parë, Bordi i FIBA Evropës, ka vendosur që të shtyhen të gjitha Kampionatet Evropiane për grupmosha të reja. Kosova kishte planifikuar të merrte pjesë me 5 ekipe: Kosova U20, Kosova U18, Kosova U16 te meshkujt dhe Kosova U20 dhe U16 te femrat. Madje, Evropiani i Divizionit C për U16 (M) duhej të mbahej në Prishtinë, por është shtyrë për vitin e ardhshëm. “Ne kemi qenë të përgatitur të marrim pjesë me pesë Përfaqësuese, por të gjitha janë shtyrë. Pavarësisht kësaj, ne jemi duke përgatitur një plan që lojtarët/et të mos pushojnë dhe të jenë sa më shumë aktivë gjatë verës. Sigurisht kjo varet edhe nga situata. Pas përfundimit të pandemisë do të rikthehemi edhe më të fuqishëm”, nënvizoi Rugova.

Në fund, ish-basketbollisti i njohur ka edhe një mesazh. “Qëndroni në shtëpi dhe respektoni rregullat. Duhet të jemi të bashkuar dhe të kthehemi edhe më fuqishëm. Sa i përket lojtarëve/eve të vazhdojnë me stërvitje individuale nga shtëpia”, përfundoi Granit Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat