Fitore e madhe për basketbollin e Kosovës

Basketboll

Fitore e madhe për basketbollin e Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 6 qershor 2020 Në ora: 13:43
Fitore e madhe për basketbollin e Kosovës

Kosova ka të rinj e të reja të talentuara në secilën disiplinë sportive, që shumë shtete në botë e lakmojnë.
Puna dhe angazhimi i gjithanshëm edhe po shpërblehet në disa degë sportive që punojnë me mendje të shëndoshë.

Një fitore e madhe për basketbollin e Kosovës, padyshim është edhe nominimi i tri gjyqtareve.

“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) i ka nominuar tri gjyqtare, Irma Konjusha, Anjesa Haziraj dhe Lorena Haxha për projektin e ri të FIBA Europe për Gjyqtaret Nacionale të Talentuara”, njofton FBK.

Image

Kjo është një fitore e madhe për një shtet të ri, sepse gradualisht po arrijnë të formojnë edhe gjyqtare të reja në gjininë e femrave, që një ditë do të janë edhe krenaria e Kosovës. 

Irma, Anjesa e Lorena, tre emrat e nominuar janë edhe një sinjal i qartë se po punohet dhe po avancohen gjyqtaret femra në vendin tonë.

"Federata e Basketbollit e Kosovës është shumë e përkushtuar në punën për zhvillimin dhe avancimin në vazhdimësi të basketbollit femëror", kështu ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.

Federata e Basketbollit e Kosovës është e përkushtuar që të ndërtojë një brez të ri të gjyqtareve në konkurrencën e femrave dhe ky është një tregues i mirë, se basketbolli ka vizionin e qartë: Ta fuqizojë rolin e femrës në rrafshin ndërkombëtar. Sigurisht se kjo po mirëpritet dhe po duartrokitet edhe nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos nga FIBA Europe e FIBA.

“Në fakt ka qenë FIBA Europe, më saktësisht Departamenti i Referëve/e të FIBA Europe ai që ka kërkuar nga Federatat Nacionale që t’i propozojnë gjyqtaret me potencial për projektin e ri për Gjyqtaret Nacionale të Talentuara, që do të fillojë nga mesi i muajit qershor”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat