Toronto Raptors e barazojnë duelin çrekfinal kundër Boston Celtics

Basketboll

Toronto Raptors e barazojnë duelin çrekfinal kundër Boston Celtics

Më: 6 shtator 2020 Në ora: 11:03
Toronto Raptors e barazojnë duelin çrekfinal kundër Boston Celtics

Kampionët në fuqi të NBA, kanadezët e Toronto Raptors ia dolën të rikuperojnë disavantazhin prej dy ndeshjesh ndaj Boston Celtics, pasi fituan edhe ndeshjen e katërt çerekfinale, duke çuar bilancin e përballjeve në 2-2.

Në “HP Field House” të Orlandos, kanadezët ia dolën të triumfojnë me shifrat 93-100, në një sfidë vërtetë të luftuar dhe interesante. Raptors e nisën më mirë takimin, por me kalimin e kohës gjithçka u balancuar dhe Boston arriti të barazojë e shpesh të kryesojë me diferencë t vogël pikësh.

Më pas erdhi fraksioni i tretë që u dominua tërësisht nga kanadezët, veçanërisht në minutat e fundit të tij, ku edhe arritën të shkëputen me plot 8 pikë. Fraksioni i fundit u fitua nga Celtics me vetëm një pikë diferencë, që ishte shumë pak për të ndryshuar fatin e takimit.

Më i miri i ndeshjes ishte Jayson Tatum i Boston Celtics, që shënoi 24 pikë, rikuperoi 10 topa dhe dha 3 asiste, ndërsa te Raptors bënë paraqitje mjaft të mira kamerunasi Pascal Siakam dhe amerikani Kyle Lowry, që së bashku shënuan 45 pikë, rikuperuan 22 topa dhe dhanë 9 asiste.

Në arenën tjetër të Orlandos “AdventHealth”, Denver Nuggets triumfoi me rezultatin 110-101 përballë Los Angeles Clippers dhe çoi në 1-1 rezultatin e përgjithshëm me ndeshje.

Nuggets bënë një start të furishëm, duke befasuar kundërshtarët dhe duke fituar fraksionin e parë të ndeshjes me shifrat 25-44, plot 19 pikë diferencë, duke e bërë ndeshjen malore menjëherë për Clippers.

Këta të fundit u zgjuan dhe reaguan mirë, duke kontrolluar lojën dhe fituar në tre pjesët e tjera, por pa ia dalë të përmbysin avantazhin e thellë të krijuar nga Nuggets në fraksionin e parë.

Kanadezi Jamal Murray ishte protagonist për Denverin me 27 pikë, 3 rikuperime dhe 6 asiste, ndërsa një sfidë për t’u duartrokitur bëri edhe serbi Jokiç me 26 pikë, 18 rikuperime dhe 4 asiste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat