Sot, dita e marrëveshjes historike, Kosovë-Shqipëri

Basketboll

Sot, dita e marrëveshjes historike, Kosovë-Shqipëri

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 10:56
Sot, dita e marrëveshjes historike, Kosovë-Shqipëri

Sot është një ditë historike për basketbollin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Sot do të nënshkruhet marrëveshja. Sot do të hedhet e zeza mbi të bardhën. Sot do të jetësohet ëndrra e shumë shqiptarëve. Sot, është dita vendimtare.

Pas një pune të gjatë dhe intenstive, në Tiranë (ora 19:00), do të nënshkruhet marrëveshja për formimin e Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Një ligë me tetë skuadra. Katër më të mirat nga të dy vendet. Ëndrra e kamotshme bëhet realitet për formimin e një lige mes dy vendeve shqiptare.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Basketbollit e Shqipërisë (FSHB) kanë punuar një kohë të gjatë për këtë projekt madhor, që sot bëhet realitet.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE.

Gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshje do të jetë edhe Presidenti i FIBA Europës, Turgay Demirel.

Demirel, i cili vitin e kaluar kishte qenë në Kosovë për të ofruar përkrahje për basketbollin e Kosovës, do të mbajë një fjalim në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për të treguar se e përkrah Ligën dhe do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme.

Po ashtu të enjten Bordi Drejtues i Ligës UNIKE që përbëhet nga 2 anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga 2 Sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë, ku do të emërojë edhe Kryetarin e Bordit Drejtues,  e do të emërojnë stafin e zyrës së Ligës UNIKE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat