Marc Gasol mbetet pezull, kërkohet nga Clippers dhe në Europë

Basketboll

Marc Gasol mbetet pezull, kërkohet nga Clippers dhe në Europë

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 18:31
Marc Gasol mbetet pezull, kërkohet nga Clippers dhe në Europë

Fundjavën e kaluar kampionët në fuqi të Toronto Raptors hoqën dorë nga mbrojtja e titullit, teksa ekipi kanadez u eliminua në ndeshjen e shtatë, në fazën gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes, pas humbjes 92-87 që pësuan në “AdventHealth Arena” në takimin përmbyllës të serisë me Boston Celtics. Kjo ishte ndeshja e fundit për një ndër mbrojtësit më të mirë të NBA, veteranin spanjoll Marc Gasol dhe tani pritet me shumë interes vendimi që do të marrë qendra e franchise-t nga Ontario, në lidhje me të ardhmen e tij.

35-vjeçari nga Barcelona firmosi për Toronton në fillimin e shkurtit të vitit të kaluar, duke u shkëmbyer me treshen C.J.Miles – Jonas Valanciunas – Delon Wright që kaloi te Memphis Grizzlies, si dhe një përzgjedhje nga raundi i dytë i draftit në vitin 2020. Historia dihet me Raptors vëllai i vogël Gasol ia doli mbanë për të koleksionuar unazën e tij të parë në NBA, pasi në Tennessee mbrojtësi veteran as që iu afrua një arritjeje të tillë, gjatë 11 sezoneve që u aktivizua me Memphis Grizzlies.

Në shtypin spanjoll prej ditësh është shkruar shumë mbi një kthim të mundshëm të shtatlartit katalanas në Kontinentin e Vjetër, ndërsa në Shtetet e Bashkuara media të ndryshme kanë spekuluar mbi një interesim të vazhdueshëm të Los Angeles Clippers për qendrën e Toronto Raptors.

Një gjë është e sigurt, 35-vjeçari iberik do të jetë lojtar i lirë në merkaton e ardhshme të NBA dhe në mënyrë të kuptueshme basketbollisti katalanas kërkon ta shfrytëzojë këtë mundësi për t’u kthyer në Evropë, për ta mbyllur karrierën e tij si profesionist pikërisht në Kontinentin e Vjetër, gjithsesi në krahun tjetër janë të shumta skuadrat që po mundohen ta joshin për të vijuar përtej Atlantikut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat