Sekretari i FSHB-së: Disa klube po spekulojnë, ja benefitet e Ligës Unike

Basketboll

Sekretari i FSHB-së: Disa klube po spekulojnë, ja benefitet e Ligës Unike

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 16:40
Sekretari i FSHB-së: Disa klube po spekulojnë, ja benefitet e Ligës Unike

Më 10 shtator Federata Shqiptare e Basketbollit dhe ajo Kosovare firmosën marrëveshjen historike për krijimin e kampionatit të përbashkët mes dy vendeve, event që është quajtur Liga Unike. Korab Llazani, sekretari i përgjithshëm i FSHB-së, i cili gjithashtu do të jetë pjesë e bordit drejtues në Ligën Unike, rrëfen në një intervistë për “Panorama Sport” benefitet që do t’i sjellë ky kompeticion basketbollit. Llazani gjithashtu sqaron edhe çështjen e mandatit të FSHB-së, ku thotë se disa klube po spekulojnë mbi këtë temë.

Më në fund Shqipëria dhe Kosova vijnë me një kompeticion të përbashkët. Cilat mendoni se do të jenë benefitet më të mëdha që do të ketë basketbolli nga kjo marrëveshje?

Krijimi i Ligës Unike është projekti më i ri i basketbollit në trevat shqipfolëse. Siç edhe z.Ponari u shpreh në fjalimin e tij, ëndrra u bë realitet, më në fund kjo nismë e pahasur deri tani në sistemin e organizimit të sportit në hapësirën shqiptare, u zyrtarizua. Basketbolli është pa dyshim iniciatori dhe besoj do të vlejë si model për sportet e tjera. Të dy presidentët e federatave, z.Ponari dhe z.Fetahu, me këmbëngulje dhe vendosmëri, duke marrë dhe bekimin e FIBA-s, firmosën më 10 shtator 2020, aktin e themelimit të kësaj Lige, e cila mbart në vetvete, zgjerimin e gjeografisë së zhvillimit të aktiviteteve të basketbollit, rritjen e konkurrencës dhe cilësisë, evidentimin e talenteve të reja, promovimin dhe zhvillimin e basketbollit në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo Ligë do të jetë garanci për lëvizje edhe më të mëdha, si ajo e nxitjes së shikueshmërisë, afrimin e sponsorëve, ndërveprimin dhe shkëmbimin e eksperiencave profesionale, kualifikuese, në nivel sportiv dhe menaxherial.

Cilat do të jenë ekipet pjesëmarrëse të Shqipërisë në Ligën Unike?

Është menduar se 4 ekipet më të mira në kampionatin shqiptar dhe atë të Kosovës, referuar renditjes së sezonit të kaluar, do të jenë pjesëmarrëse në këtë ligë. Bordi i ri i sapozgjedhur, me kryetarin Z.Ilir Trebicka, do të mblidhet së shpejti me strukturën administrative të posaçme, për këtë qëllim, për t’i dhënë dorën e fundit vijueshmërisë teknike të Ligës Unike. Pas këtij momenti, ekipeve u dërgohet ftesa për pjesëmarrje, së bashku me të gjitha materialet orientuese përfshirë dhe rregulloren e aktivitetit. Ato janë të lirë të marrin vendime mbi pjesëmarrjen. Kjo është një praktikë mjaft e njohur, në çdo kompeticion, qoftë kombëtar, lokal, rajonal, ndërkombëtar, që ekipet e renditura më mirë kanë prioritet angazhimi.

Mund të na tregoni diçka më tepër rreth formulës së Ligës Unike?

Formula është pjesa që na ka munduar më pak në gjithë përpjekjet tona për të formalizuar dhe zyrtarizuar konform standardit ndërkombëtar (FIBA) këtë Ligë, duke pasur fokus më shumë, kuadrin ligjor të organizimit të sportit në nivel kombëtar në dy shtetet respektive. Eksperiencat e kampionateve tona, na e lehtësojnë këtë proces, pasi është njësoj si organizimi i kampionatit kombëtar me të njëjtat evente, Kupë e Ligës, Superkupa dhe kampionati. Liga Unike u shtohet si aktivitet të gjitha veprimtarive tona kombëtare, duke bërë të mundur ndeshjen e ekipeve më të mira në një kompeticion të ndërmjetëm. Jam i bindur se konkurrenca dhe tifozëria do të flasin vetë, shumë shpejt, sapo të na hapet drita jeshile për të filluar aktivitetin, këtej dhe andej kufirit.

Disa prej klubeve në vend, janë shprehur se federata është pa mandat dhe se nuk mund të marrë vendime të tilla madhore siç ishte firmosja e marrëveshjes për ligën Shqipëri-Kosovë. Cili është komenti i FSHB-së?

Ky koment, rëndom përdoret për të bërë oponencë apo spekulim të pabazuar në ligjshmërinë apo interpretimet korrekte të dokumenteve që e vërtetojnë një gjë të tillë. Madje ka pasur nga ata, që kanë qenë skeptikë dhe mosbesues edhe në arritjen e marrëveshjes të krijimit të Ligës Unike. Vendimi i fundit i regjistrimit të zgjedhjeve të FSHB-së në Gjykatën e Rrethit Tiranë, certifikuar më 13.03.2017, vërteton se mandati i saj ligjor është deri më 13.03.2021, por moralisht referuar zgjedhjeve të fundit, gjithmonë të mbështetur dhe në statutin aktual, që parashikon se zgjedhjet mund të zhvillohen kurdo brenda vitit Olimpik. Pavarësisht se Olimpiada është zhvendosur për vitin 2021, ne jemi angazhuar t’i zhvillojmë brenda këtyre afateve dhe kjo është vërtetuar jo vetëm zyrtarisht, por edhe mediatikisht. Përsëris, janë shoqatat ato që për momentin kanë lënë pezull zhvillimin e çfarëdo asambleje që FSHB do të organizojë. Shpresoj të jem i qartë dhe shprehur ligjërisht korrekt, njëherë e mirë për të gjithë komunitetin dhe të gjithë ata, që me padurim dhe pa dije, kanë trumbetuar datën 30 mars 2020, si përfundim të mandatit të forumeve drejtuese të FSHB-së.

Çfarë po ndodh me asamblenë statutore? A po i paraqesin klubet mandatet e tyre të rinovuara?

Kësaj pyetjeje i kam dhënë shpjegimin më sipër, sepse i referohet çdo lloj asambleje që FSHB organizon. Mandati ligjor dhe certifikimi i tyre nga Gjykata e Rrethit Tiranë, janë kushti nr.1 i zhvillimit të çdo asambleje, për të cilin po punojnë të gjitha organizatat anëtare, për të arritur në një kohë të afërt realizimin e asambleve sipas standardeve ligjore.

Sallat sportive vijojnë të jenë të mbyllura. Keni marrë ndonjë përgjigje nga organet kompetente, pas kërkesave që u keni bërë për t’u rikthyer në parket?

Jemi në kontakte të vazhdueshme dhe me sytë nga Ministria e Shëndetësisë, që siç i dha rrugë nisjes së shkollës, t’i japë një dritë jeshile edhe aktivitetit basketbollistik, apo me gjerë. Akoma s’kemi një përgjigje zyrtare edhe pse vendet rreth nesh i kanë hapur dyert e sallave sportive dhe kanë planifikuar duke nisur tanimë, aktivitetet e tyre kombëtare. Vonesat e shkaktuara nga moskthimi i përgjigjeve, nga drejtuesit e Ministrisë së Sporteve dhe asaj të Shëndetësisë, kanë krijuar një situatë mjaft të vështirë për komunitetin e basketbollit, duke na vënë në pozicion të vështirë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.

A jeni të kënaqur me formulën e re të ligjit të sponsorizimit?

Formula e re e ligjit të sponsorizimit duhet të promovohet dhe të paraqitet te bizneset, pritet sa efektiv do të jetë implementimi i tij tek ekipet, rrjedhimisht edhe në federatë, për kompeticionet ndërkombëtare. Ky ligj, ka pjesë të protagonizmit, presidentin e FSHB-së, i cili ka lobuar në rrugë zyrtare dhe mediatike për ta pasur një të tillë dhe më tej ka avancuar për vënien në eficencë të tij me ndryshime të propozuara po nga vetë ai. Në dijeninë time, nga ekspertiza ekonomike, priten akoma ndryshime edhe pse është një ligj i ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat