Teuta dhe FSHB “takohen” në gjykatë

Basketboll

Teuta dhe FSHB “takohen” në gjykatë

Më: 7 tetor 2020 Në ora: 15:25
Teuta dhe FSHB “takohen” në gjykatë

Sezoni 2019-2020 në Su perligën e basketbollit të meshkujve, siç dihet u anulua, me vendim të federatës për shkak të pandemisë. Por ndonëse i anuluar, polemikat dhe akuzat nuk kanë ndërmend të ndalen. Jo vetëm kaq, pasi tashmë Teuta dhe Federata Shqiptare e Basketbollit kanë përfunduar deri në gjykatë. Kjo për shkak të ngjarjeve të ndodhura në javën e 13-të, në derbin durrsak Goga-Teuta. Siç dihet Teuta e bojkotoi takimin, për shkak se presidentit Arqile Gorea iu ndalua hyrja për të shoqëruar ekipin në dhomat e zhveshjes. Ndërsa më pas federata kishte vendosur për humbje në tavolinë 20-0 dhe 5 milionë lekë të vjetër për Teutën.

Duke e konsideruar Komisionin e Apelit në kundërshtim me statutin dhe në mungesë të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, Teuta e ka çuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, aty ku dje është zhvilluar edhe seanca e parë. Teuta e konsideron të padrejtë këtë vendim duke kërkuar kështu anulimin e tij. Padia është pranuar, ndërsa mësohet se është vendosur data 16 tetor për seancën e radhës.

REAGON ARQILE GOREA

Presidenti i Teutës, Arqile Gorea, në një prononcim për “Panorama Sport”, edhe njëherë tjetër e konsideron të padrejtë vendimin e FSHB-së për ngjarjet në derbin durrsak, ndërsa nuk kursehet në akuzat ndaj Federatës Shqiptare të Basketbollit. “Teuta kërkon anulimin e një vendimi të padrejtë. I kemi ndjekur që të gjitha shkallët, duke filluar që nga Komisioni i Disiplinës, ndërsa Komisioni i Apelit nuk ekziston në FSHB, pasi atë e bën Komiteti Drejtues ku për çudinë më të madhe kryetari z.Ponari ka dy vota. Kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend të botës. Duke ndjekur maratonën e padrejtësive në FSHB, për arsye të konfliktit të interesit, të nepotizmit dhe të misionit që kanë pasur deri tani për ta degraduar basketbollin, për të vënë drejtësinë në vend ne iu drejtuam sipas statutit KOKSH-it dhe Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (KAS).

Kur nuk funksionon KAS-i, problemet zgjidhen në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë dhe pasi ndoqëm të gjitha shkallët, iu drejtuam gjykatës, e cila ka marrë në shqyrtim çështjen. Federata kërkoi kohë për administrimin dhe studimin e dokumenteve, por ne jemi të bindur që na është bërë një padrejtësi, e cila nuk është e bazuar as në rregullore dhe as në statut, por në interesat e personave të veçantë që kanë lidhje me federatën. FSHB është katandisur në një nivel ku dy persona, si kryetari dhe sekretari vendosin dhe e trajtojnë si oborr personal. Të cilët përveç interesave meskine, nuk kanë asnjë lidhje me basketbollin”, deklaroi Gorea. Më tej presidenti i Teutës thekson se federata nuk i pyet dhe nuk i merr aspak në konsideratë opinionet e klubeve në vendimet që merr: “Ekipet nuk janë thërritur dhe nuk u është marrë asnjë mendim.

Para tri javësh vendosën që do të kemi një kampionat, ndërsa vetëm disa ditë më parë njoftuan se do të ndahen sërish grupet. Kemi një mungesë të theksuar serioziteti, ku menaxhojnë njerëz të kapur nga ekipet dhe interesat. Situata është e mjerueshme, pasi mekanizmat meskine vazhdojnë të ‘bubrrojnë’ në terrenin e basketbollit shqiptar dhe nuk pranojnë që të luhet sport i ndershëm, por duan vetëm poker interesash”.

Në fund Gorea rikthehet të flasë edhe për Ligën Unike, ku edhe një herë tjetër shpjegon pse ky event duhej të kishte një tjetër emër, pasi kështu si quhet, sipas tij lidhet me Unika Grup: “Kanë përdorur fjalën ‘Unike’, që ka të bëjë me Unika Grup. Le ta themi hapur, boll ka paguar basketbolli për të bërë reklamat e Sigalit, tani duhet që të bëjë edhe raklamat e Unika Grup. Kjo nuk shkon dhe është një konflikt i pastër interesi. Mendoj që duhet të kishte një tjetër emër ky kompeticion, si për shembull Liga Shqiptare, Liga Dardania, Liga Mbarëkombëtare”, përfundoi prononcimin e tij ish-kryebashkiaku i Durrësit, i cili prej disa vitesh sponsorizon skuadrën e basketbollit, Teuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat