Basketbolli bëhet me futbollin për ligjin e sponsorizimit

Basketboll

Basketbolli bëhet me futbollin për ligjin e sponsorizimit

Më: 13 tetor 2020 Në ora: 15:45
Basketbolli bëhet me futbollin për ligjin e sponsorizimit

Situata e pandemisë ashtu si në të gjitha fushat e jetës edhe në sektorin e sportit të basketbollit ka sjellë një problematikë shumë të madhe. Nuk mjaftoi ndërprerja e edicionit të shkuar për të cilin u vendos të mbyllej normalisht në parket, por ka vazhduar mbyllja e çdo palestre dhe impianti deri më sot duke e bërë këtë veprimtari sportive inekzistente. Sekretari i Federatës së Basketbollit, Korab Llazani, tregon për situatën në një konferencë për shtyp të zhvilluar sot:

“Shqetësimi ynë kryesor është indiferenca ndaj kthimit të përgjigjes, qoftë dhe negative nga ministria dhe Komisioni Teknik i Covid 19. Gjendemi përpara një skandali, jo vetëm profesional, por edhe ndërkombëtar, pasi FIBA ka sjellë datat e aktiviteteve ndërkombëtare, por ne nuk kemi as ku përgatitemi, jo më të marrim pjesë. Nuk e kuptojmë guximin e hekurt të autoriteteve shëndetësore për të mos kthyer përgjigje.

Nuk besojmë se pallatet e sportit ne Shqipëri janë vatrat e rrezikshme europiane apo botërore të Covid-it, apo të jemi ne Whuani.”

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit shtoi se janë njëzëri dhe krah me Federatën Shqiptare të Futbollit në këkesat ndaj qeverisë. “Ne jemi ndër nismëtarët e kërkesës së ndryshimit të ligjit të sponsorizimit dhe të modernizimit të tij. Të rritet përqindja e të bëhet që ky ligj të funksionojë. Duket sikur gjithçka e merr përsipër futbolli, por ky vend nuk ka vetëm futboll dhe sportet e tjera të quhen fiskulturë. Na duhet medoemos që të shtohen financimet në sport dhe të ndryshojnë ligjet që e nxisin këtë gjë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat