​Shtyhen dy xhirot e radhës të Prince Caffe Superligës së Kosovës

Basketboll

​Shtyhen dy xhirot e radhës të Prince Caffe Superligës së Kosovës

Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 18:42
Foto Ilustrim

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vendosur që për shkak të dy ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në nëntor në kuadër të Dritares së Dytë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023, dy xhirot e radhës të Prince Caffe Superligës së Kosovës të shtyhen për më vonë.

Basketbollistët e Kosovës dhe shtabi teknik në krye me përzgjedhësin Christos Marmarinos do të jenë së bashku në një hotel në Prishtinë, që nga dita e mërkurë dhe do të stërviten në Marigona Rezidencë.

Ata nuk do të kenë kontakte me familjet e tyre dhe bashkëlojtarët në klubet ku aktivizohen, pasi që Federata e Basketbollit të Kosovës nuk dëshiron që të rrezikojë që ndonjëri prej anëtarëve të delegacionit të infektohet me COVID-19.

Shtyrja e dy xhirove është bërë për shkak që basketbollistët, të cilët janë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës të karantinohen së bashku në mënyrë që të jenë të gatshëm për sfidat ndaj Sllovakisë dhe Islandës, më 26 dhe 28 nëntor në Bratislavë.

Basketbollistët e Kosovës të hënën janë testuar (PCR) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, derisa rezultatet do të dalin të martën. Po ashtu anëtarët e delegacionit të Kosovës do të testohen edhe një herë (më datë 21 nëntor) para se të udhëtojnë për në Bratislavë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat