Edi Rama, mesazh prekës pas vdekjes së trajnerit të njohur shqiptar

Basketboll

Edi Rama, mesazh prekës pas vdekjes së trajnerit të njohur shqiptar

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 14:44
Edi Rama, mesazh prekës pas vdekjes së trajnerit të njohur shqiptar

Dita e sotme ka qenë e kobshme për sportin shqiptar në përgjithësi, pasi trajneri i njohur i basketbollit Arben Fagu ka vdekur.

Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë një nga figurat që ka reaguar në lidhje me vdekjen e ish-basketbollistit dhe trajnerit të Kombëtares shqiptare.

Rama nëpërmjet një mesazhi ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e Fagut.

Në një postim në llogarinë e tij në “Facebook”, Rama ka shkruar se me ikjen e Fagut “është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai stërviste dhe drejtonte skuadrën tonë nga stoli”.

Ky ishte mesazhi i kryemnistrit Edi Rama:

Me ikjen e Ben Fagut është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai stërviste dhe drejtonte skuadrën tonë nga stoli, ku kishte zënë vendin e legjendarit të Dinamos e të Kombëtares kuqezi të basketbollit, profesorit Feti Borova.

Beni ishte vëllai i vogël i diktatorit kuqezi të parketit shqiptar, Gim Fagut, i cili e ktheu Partizanin në makinerinë shtypëse të kampionateve tona dhe magjepsi çdo kundërshtar e trainer të huaj, që vinte nga bota tjetër për t’u ndeshur me të kuqtë e Tiranës, në eliminatoret e kupës së kampionëve të Europës. Hija e Gimit ishte shtypëse për këdo që luante në kampionatin tonë të basketbollit, po sidomos për Benin, i cili ishte i dënuar të krahasohej gjithnjë me të vëllain e paarritshëm. Një dëmtim në gju e shpëtoi në njëfarë mënyre nga presioni i atij krahasimi, duke e nxjerrë nga fusha e duke e çuar drejt stolit të trainerit, në anën tjetër të frontit të luftës me tiraninë e Partizanit, kur fronin e kishte trashëguar nga Gim Fagu, një uzurpator i të katër anëve të fushës, Gaz Çaçi!

Ben Fagu solli tek Dinamo të gjithë fuqinë e ambicies, vullnetit dhe ndershmërisë që i kishte bërë vëllezërit Fagu, djemtë e të mirënjohurit për lartësinë burrërore, Besim Fagu, shembëlltyra të dinjitetit e të respektit në bashkësinë sportive e sportdashëse të Shqipërisë. Beni solli në skuadër entuziazëm dhe dëshirë të madhe për ta përmbysur më në fund diktaturën e Partizanit – çka nuk arritëm ta realizonim edhe pse i shkuam shumë afër. Stërvitjet u bënë shumë intensive dhe marrëdhëniet në skuadër shumë të mira, falë edhe qasjes së Benit, që nxehej shpesh brenda perimetrit të fushës, po çelej e bëhej një shok i dashur sapo binte bilbili i përfundimit të stërvitjes.

Sot kujtoj me mallëngjim pikërisht të qeshurën e tij prej njeriu tejet të çiltër dhe nuk e besoj dot që Ben Fagu s’është më!

As e imagjinoj asfare hiç dot dhimbjen e Gimit e të krejt asaj familjeje të dinjitetshme e shumë të respektuar për mua, por duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për mikun e trainerin tim të paharruar, lutem që prehja e tij të jetë e paqtë dhe kujtimi i tij qoftë gjithnjë i paharrueshëm!

Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat