Publikohet lista e basketbollistëve për ndeshjet ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisëv

Basketboll

Publikohet lista e basketbollistëve për ndeshjet ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisëv

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 20:11
Luksemburgu, Sllovakia

Gjatë muajit shkurt, Kombëtarja e Kosovës në basketboll do të zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme në kuadër të para-kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.

Xhiroja e tretë e kësaj gare parasheh që të gjitha ndeshjet e Grupit B të zhvillohen në Prishtinë.

Ndeshja e parë e Kosovës do të jetë më 18 shkurt, ku e presin Kombëtaren e Luksemburgut, ndërsa dy ditë më vonë, më 20 shkurt, do të ballafaqohet me Sllovakinë.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës Christos Marmarinos së bashku me stafin e tij kanë publikuar listën prej 16 basketbollistëve, të cilët do t’i zhvillojnë ndeshjet e muajit shkurt. Seancën e parë përgatitore ekipi i “Dardanëve” e përfundoi dje, ndërsa sot do të zhvillohet seanca e dytë, me fillim nga ora 19:00.

Vlen të ceket që për herë të parë janë ftuar edhe Denis Zenelaj e Dion Sheqiri. Denisi është pjesë e skuadrës gjermane Eisbaren Bremerhaven, ndërsa Dioni paraqitet për skuadrën e Allianz Pallacenastro Trieste, që garon në Itali.

Në rast se Kosova arrin të sigurojë dy fitore në këto dy ndeshje, do të kualifikohej në raundin tjetër. Grupin B e kryeson Islanda me tri fitore dhe një humbje, ku ndiqet nga pas nga Kosova dhe Sllovakia me nga dy fitore, dhe në vendin e fundit gjendet Luksemburgu me vetëm një fitore e tre humbje.

Listën e basketbollistëve të konfirmuar që do të zhvillojnë ndeshjet e muajit shkurt e gjeni të bashkangjitur më poshtë:

Divine Myles, Musab Malaj, Valon Bunjaku, Mikaile Tmusiq, Dardan Berisha, Erjon Kastrati, Denis Zenelaj, Arian Qallaku, Meriton Ismaili, Drilon Hajrizi, Samir Zekiqi, Alban Veseli, Dion Sheqiri, Fisnik Rugova, Gëzim Morina dhe Urim Zenelaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat