Linda Shala, mos e heshtni këtë punë, kërkoni llogari

Basketboll

Linda Shala, mos e heshtni këtë punë, kërkoni llogari

Nga: Kemajl Goca Më: 21 shtator 2021 Në ora: 12:02
LInda Shala

Është koha që të kërkohet llogari! Është koha të mos falet askush. Është koha të veprojmë sa nuk është bërë vonë. 

Shumë gjenerata derdhën gjak në të gjitha sportet në vitet e 90-ta (1991-1999), vetëm të mbijetojë sporti. 

Lozëm në fusha e salla të improvizuara, të përndjekur e të rrahur, të arrestuar e të burgosur nga regjimi i Serbisë.

Në vitet e 90-ta, secili sportist lutej kur do të vijë koha të kthehemi në palestrat sportive, që i uzurpoi pushtuesi serb. 

As në livadhe nuk na linin rehat, edhe aty na sulmonin dhe nuk na lejoni aktivitetet në kuadër të Republikës. 

Edhe në vitet e 90-ta luftonim e ëndërronin sportistët tanë të garonin në Kupat Evropiane, por as që mund të mendohej. Serbia shoveniste shkelte mbi çdo gjë shqiptare, ishim të rrethuar në të katërt anët me tanke e artilerinë me të rëndë, por edhe me gjithë atë arsenal nuk mund të na ndalnin!

Pas çlirimit të Kosovës, u kthyem në palestra, klubet, çdo sportist e sportiste, lutej që sa më shpejtë të na pranojmë dhe të na lejojnë të garojmë në Kupat Evropiane! U prit më shumë se 13-14 vite, mezi na i hapen dyert të garojmë në Kupat Evropiane hiq hendbolli e pingpongu, që u pranuan në vitin 2004 përkatësisht 2002. 

Klubet e basketbollit, që hiqen se goxha kanë buxhet, kampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës, sivjet zgjodhën mos të garojnë në Kupat Evropiane. As Golden Eagle Ylli dhe as Sigal Prishtina, kjo e fundit e zgjodhi ligën ballkanike, që organizohet nga një njeri, ligë që nuk marrin pjesë klubet e mëdha të shteteve të Ballkanit dhe 95 për qind e shteteve. 

Linda Shala, si nënkryetare e Federatës së Basketbollit e Kosovës, si ish kandidate për presidente e Komitetit Olimpik të Kosovës, si femra më e guximshme, është koha që ju të kërkoni në mbledhje të bordit të FBK-së, me kokëfortësi dhe vendosmëri, që të futet një rregullore speciale, që mos të lejohen klubi kampion apo fituesi i Kupës, të bëjnë çfarë të dojnë, kur t’i teket të shkojnë në Kupat Evropiane e kur t’i teket të heqin dorë.

Të mbrohet sovraniteti i basketbollit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, Ju e dini sa sakrifica e gjaku u derdh për të mbijetuar basketbolli, sa mundi u bë për të ardhur deri të garimi në Kupat evropiane.

Nuk është e thënë basketbolli me 5 klube por vetëm me një klub të na përfaqësojë në Kupat Evropiane. Sepse kampioni apo fituesi i Kupës së Kosovës, nuk e përfaqëson vetëm qytetin por edhe shtetin! Linda Shala, si njeriu që njihesh për fjalën fjalë, mos duroni në asnjë formë, këtë çështje ngrite në bord, kërkoni një rregullore të ashpër, po e zëmë:

Nëse kampioni nuk merr pjesë në Kupat Evropiane, të sanksionohet me minus 12 pikë për edicionin e ri dhe të gjobitet me të holla, mbi 20 mijë euro. Vitin e kaluar kishte arsye, pandemia, e sivjet nuk është pandemi vetëm për basketbollin është pandemi për gjithë njerëzimin.

Të paktën basketbolli të përfaqësohet me kampionin në Kupat evropiane, nëse kampioni heq dorë masat ndëshkuese të jenë të pamëshirshme. Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht,  basketbolli të paktën të ketë një klub në Kupat Evropiane, aty ku është zyrtare.  Të bëhet një rregullore për edicionin e ardhshëm, mos lejoni të shkelet nderi i basketbollit!  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat