Vllaznia-Teuta, sot luhet finalja e dytë

Basketboll

Vllaznia-Teuta, sot luhet finalja e dytë

Më: 18 maj 2022 Në ora: 11:12
Vllaznia-Teuta, sot luhet finalja e dytë

Superliga e basketbollit të meshkujve do të zhvillojë sot finalen e dytë të kampionatit, një ndeshje shumë e rëndësishme për fatet e sezonit 2021-2022.

Në orën 19:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të zbresin në parket Vllaznia vendëse dhe Teuta. Sfida e parë e luajtur në Durrës u dominua nga bregdetarët e Melzin Lazimit, të cilët triumfuan bindshëm me rezultatin 86-68.

Megjithatë, kuqeblutë në këtë takim mund të mbështeten tek publiku i zjarrtë shkodran. Për këtë sfidë, Vllaznia u ka bërë thirrje me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke kërkuar përkrahjen e tifozëve.

“Pas humbjes në Durrës ndeshja e nesërme (sotme) është më e rëndësishmja e sezonit, si dhe për të vazhduar serinë e finaleve ku duhen fituar 3 ndeshje. Mos mungo!”, shkruan Vllaznia në publikimin e bërë në faqen e saj.

Shkodranët siç dihet synojnë titullin e dhjetë kampion në historinë e klubit, trofe që në Shkodër mungon që prej 2016-ës. Ndërsa nga ana tjetër, Teuta, kampione në fuqi, është në kërkim të suksesit të katërt.

Kështu që, parashikohet një betejë e zjarrtë mes Vllaznisë dhe Teutës, skuadra që kanë nga disa lojtarë të huaj në përbërje. Siç dihet, ekipi që arrin numrin e tri fitoreve, kurorëzohet kampion i Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat