Rritja e numrit të trajnereve...

Basketboll

Rritja e numrit të trajnereve...

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 16:07
Rritja e numrit të trajnereve...

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ju bën thirrje të gjitha ish-basketbollisteve dhe basketbollisteve që janë në përfundim të karrierës e që dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre në basketboll, si trajnere, refere apo edhe delegate.

Federata e Basketbollit e Kosovës ndër pesë (5) Qëllimet në Planin Strategjik 2021-2025 e ka si qëllim të veçantë “Gratë dhe Vajzat në Basketboll” nëpërmjet të cilit qëllim synon ti realizoj objektivat e saj, e që janë rritja e numrit të vajzave që e praktikojnë sportin e basketbollit, rritja e numrit të trajnereve, refereve, delegateve, administratoreve dhe udhëheqëseve nëpër klube.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku në lidhje me Thirrjen për ish-basketbollistet dhe basketbollistet që janë në përfundim të karrierës për faqen zyrtare të FBK-së ka thënë:

“Mendoj se kjo është një mundësi shumë e mirë për ish-basketbollistet dhe basketbollistet që janë në përfundim të karrierës që të paraqiten për tu bërë trajnere, refere, apo delegate në garat e basketbollit të organizuara nga FBK. Ne dëshirojmë që basketbollistet apo ish basketbollistet që tashmë janë pensionuar të mbesin pjesë e komunitetit në forma të ndryshme, në mënyrë që të kemi sa më shumë rol modele për vajzat e reja. Në të njëjtën kohë ne duam ta rrisim kualitetin tek trajneret, referet e delegatet, dhe mendojmë se mënyra më e mirë është nëpërmjet edukimeve që organizohen nga FBK në bashkëpunim me FIBA-n.

Andaj ju bëjë thirrje të gjitha ish-basketbollisteve dhe basketbollisteve që janë në përfundim të karrierës, që nëse dëshirojnë të vazhdojnë të mbesin në basketboll, të aplikojnë për njërën nga tri fushat e lartcekura. Ne do ti përkrahim ato në të gjitha format, sepse jemi shumë të interesuar të rrisim nivelin e basketbollit femëror në të gjitha sferat, qoftë në fushën e lojës, qoftë edhe jashtë saj”.

Federata e Basketbollit e Kosovës planifikon që pas përmbylljes së afatit (01 Shtator 2022) të organizojë kurse e punëtori të veçanta për trajnere, refere e delegate në mënyrë që ato të jenë sa më të gatshme për të filluar punën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat