Dushku në Barcelonë për fuqizimin e vajzave dhe grave në basketboll

Basketboll

Dushku në Barcelonë për fuqizimin e vajzave dhe grave në basketboll

Më: 26 janar 2023 Në ora: 12:05
Elvira Dushku

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku të mërkurën në Barcelonë ka marrë pjesë në takimin e parë të partnerëve të projektit "PROMISE" (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave), takim ky që është organizuar nga Federata e Basketbollit të Katalonisë, njëherësh lidere e këtij projekti të fituar në kuadër të Bashkimit Evropian, më saktësisht nëpërmjet programeve të Erasmus+.

Projekti "PROMISE" përbëhet nga 5 paketa të punës dhe FBK është përgjegjëse për implementimin e njërës nga këto paketa: "Komunikimi, Shpërndarja dhe Rritja e Ndërgjegjësimit për Mediat".

Dushku në takimin në Barcelonë e ka bërë prezantimin e paketës së punës që është përgatitur nga FBK, por do të implementohet nga të gjithë partnerët e projektit.

"Për FBK ky projekt është shumë aktual pasi është në përputhshmëri të plotë me Planin Strategjik dhe qëllimin e veçantë në kuadër të këtij plani, 'Vajzat dhe Gratë në Basketboll'.

“Objektivi i përgjithshëm i projektit 'PROMISE' është të promovojë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në basketboll në të gjitha nivelet e përgjegjësive nëpërmjet hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të një programi gjithëpërfshirës të ndërhyrjes. Ne si FBK jemi shumë të lumtur që e kemi fituar një projekt në kuadër të Erasmus+ dhe këtë e kemi bërë pikërisht në kuadër të punës sonë të palodhshme për basketbollin femëror. Jam shumë e lumtur që e kemi mundësinë të punojmë për t'iu bërë kushte çdo herë e më të mira vajzave dhe grave që janë pjesë e komunitetit të basketbollit e më gjerë", ka theksuar Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen kurse disa mujore të mentorimit për trajnere dhe gjyqtare nga të gjitha federatat e përfshira në projekt, pastaj kampe ndërkombëtare për lojtare e trajnere, seminare me klube, punëtori e forume me ekspertë të ndryshëm, me qëllimin e vetëm fuqizimin e vajzave dhe grave në basketboll nëpërmjet implementimit të 5 paketave të punës të projektit "PROMISE".

Projekti "PROMISE" përbëhet nga 7 institucione që mbulojnë 6 vende evropiane siç janë: Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria.

Duhet theksuar se Federata e Basketbollit e Kosovës është propozuar nga FIBA dhe kompania B.Link Barcelona Strategic Projects për të qenë pjesë e këtij projekti falë punës dhe përkushtimit të FBK-së për ngritjen e nivelit të basketbollit të vajzave dhe grave si në fushën e lojës, po ashtu edhe jashtë saj.

Projekti ka filluar në Janar 2023 dhe do të përfundojë në Qershor 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat