Tri vjet pa legjendën Kobe Bryant

Basketboll

Tri vjet pa legjendën Kobe Bryant

Më: 26 janar 2023 Në ora: 15:12
Tri vjet pa legjendën Kobe Bryant

Kanë kaluar tri vjet nga vdekja tragjike e legjendës së basketbollit, Kobe Bryant. Ish-lojtari i Los Angeles Lakers ndërroi jetë së bashku me të bijën e tij, Gianna Maria dhe shtatë pasagjerë të tjerë pas rrëzimit të helikopterit

Rrëzim i helikopterit, më pas një gjëmim dhe në fund zjarr.

Tri vjet më parë, më 26 janar 2020 e kishte humbur jetën tragjikisht me vetëm 41 vjet, Kobe Bryant.

Viktimë e një aksidenti ajror në Calabasas në California, legjenda e basketbollit kishte vdekur së bashku me 8 pasagjerë të tjerë në bordin e helikopterit të rrëzuar.

Mes tyre, edhe njëra prej katër vajzave të sportistit, 13 vjeçarja Gianna Maria.

Incidenti kishte ndodhur në zonën mes Las Virgenes Road dhe Willow Glen Street, pak më herët se ora 10:00 e mëngjesit me kohën lokale.

Në orën 09:47 arriti një thirrje në 911 ku ishte sinjalizuar një fatkeqësi e mundshme me pasojë zjarrin.

Helikopteri, i tipit Sikorsky S-76B, i ndërtuar në vitin 1991 ishte ngritur në orën 09:06 nga John Wayne Airport, siç rezulton nga regjistrat e fluturimit.

Në rrugë e sipër, pamjet nuk ishin optimale shkaku i mjegullës, e cila e tradhtoi pilotin.

“Jemi të shkatërruar totalisht”, ishte komunikata e familjes pas katër ditësh.

Bashkëshortja e të ndjerit, Vanessa Laine Bryant i falënderuan të gjithë për përkrahjen në momentet më të vështira të jetës.

Ajo e përshkroi Koben si një baba dhe një bashkëshort i mrekullueshëm, i cili do t’i linte përgjithmonë zemërthyer.

Kobe dhe Vanesa e kishin bërë një marrëveshje të prerë, që të mos udhëtonin kurrë së bashku me të njëjtin helikopter.

Një muaj pas tragjedisë dhe pas funeralit në formë private, më 24 shkurt 2020, Kobe dhe vajza e tij Gianna u kujtuan përmes një ceremonie në Staples Center në Los Angeles.

Kobe Bryant konsiderohet si njëri prej basketbollistëve më të mirë në histori të NBA-së ndërsa luajti gjithmonë për LA Lakers.

Në 20 vjet karrierë, ai i kishte sjell magji sportit të luajtur me duar duke fituar gjithçka që është e mundshme dhe duke thyer rekorde të njëpasnjëshme.

Gjeniu i basketbollit i kishte zhvilluar mbi 1400 ndeshje në karrierë, me një mesatare prej 36 minutash dhe 25 pikësh për lojë.

“Black Mamba” nuk do të harrohet kurrë për atë që i dha sportit dhe për personin model që ishte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat