Astera Tuhina, model suksesi para vajzave të reja

Basketboll

Astera Tuhina, model suksesi para vajzave të reja

Më: 24 maj 2023 Në ora: 16:56
Talentet e basketbollit

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vazhduar me promovimin e kampanjës  “Her World, Her Rules” (Bota e Saj, Rregullat e Saj), ku së fundi si rol model për këtë kampanjë është përzgjedhur basketbollisten e talentuar Astera Tuhina, e cila tregoi për vështirësitë dhe sukseset në karrierë para vajzave.

Kampanja është organizuar në tri qytete Prizren, Prishtinë dhe Pejë, në shkolla fillore, “Emin Duraku”, Prizren, “Lekë Dukagjini”, Prizren, “8 marsi”, Pejë, “Lidhja e Prizrenit”, Pejë, “Nazim Gafurri”, Prishtinë dhe Meto Bajraktari”, Prishtinë.

Vajzat e reja ishin shumë të lumtura që janë takuar me Asterën, e cila ka ndarë storiet e suksesit në karrierën e saj. Ato e kanë pyetur për karrierën e saj dhe rrugën e suksesit. 18 vjeçarja ju ka drejtuar se, asnjëherë nuk duhet të dorëzoheni për t’i ndjekur ëndrrat dhe i ka inkurajuar vajzat që të merren me sport, përkatësisht basketboll.

Astera ka theksuar se përkrahësit më të mëdhenj të saj kanë qenë prindërit e saj e në theks të veçantë babai i saj.

“Kam filluar me luajt basketboll në moshën 5 vjeçare, së pari në ekipin me djem dhe më vonë jam kyçur në ekipet e vajzave. Sot jam 18 vjeçe dhe gjatë periudhës prej kur kam filluar me luajt e deri më tani kam pasur një karrierë shumë të mirë, por synoj që të mos ndalem së punuari, sepse basketbolli do të thotë shumë për mua.

Në moshën 13 vjeçare kam shkuar në Spanjë, e vetëm, pa familje, me një shtet që nuk e kam ditur as gjuhën e tyre, por këtë e kam bërë sepse e kam dashur basketbollin dhe kam dashur të përparojë në basketboll, por edhe të shkollohem.

Sa kam qenë në Spanjë jam kontaktuar nga një trajnerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e kam fituar bursën për kolegj, ku edhe jam aktualisht, Washington State Cougars. Duhet ta theksoj faktin se me vetëm 14 vjet kam luajtur për herë të parë për Kosovën.

Për mua është nder i madh dhe diçka e veçantë të luash për Kosovën, këtë mundohem ta theksoj se herë të më vije rasti. Po i ndaj të gjitha këto me juve, për të ju treguar se pa mund dhe sakrifica nuk mund të arrijmë atë që e duam. Unë e dua basketbollin dhe kam sakrifikuar shumë, por jam shumë krenare me gjithë atë që kam bërë dhe do të vazhdoj ta bëjë”, është shprehur Astera para vajzave në shkollat ku është organizuar kampanja nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Së bashku me Asterën pjesë e kampanjës ishin edhe Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, Arben Krasniqi, Drejtor Teknik në FBK, Artina Hasani, Menaxhere e Eventeve e Basketbollit 3x3 në FBK dhe Rrezarta Kqiku, Asistente Ekzekutive në FBK.

Astera me 16 vjet ka luajtur për Kosovën A, ndërsa në Evropianin e fundit për Shtetet e Vogla hyri në Top 5. Astera ka debutuar edhe në elitën spanjolle të basketbollit, kurse së fundi u shpall kampione e PAC-12 me Washington State Cougars. Ajo ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Kosovës.

FBK është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program, tash e pesë vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses kampanjën “Her World, Her Rules”, që është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Evropa që ka për qëllim ta promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat