​Astera Tuhina flet për objektivat me Kosovën dhe zbulon të ardhmen e saj

Basketboll

​Astera Tuhina flet për objektivat me Kosovën dhe zbulon të ardhmen e saj

Më: 27 maj 2023 Në ora: 12:57
Astera Tuhina

Ajo është padyshim e ardhmja e basketbollit kosovar. Astera Tuhina po përjeton rritje të shpejtë në karrierën e saj si basketbolliste e nivelit botëror.

Si 16-vjeçare ajo është bërë pjesë e rëndësishme e Kombëtares A të Kosovës, ndërsa hapin e madh e bëri vitin e kaluar, kur nënshkroi për skuadrën e madhe amerikane, Washington State Cougars, me të cilën u shpall kampione e ligës PAC-12.

Në një intervistë për KosovaPress, Tuhina thotë se po kalon nëpër një periudhë të jashtëzakonshme në karrierë dhe se kjo do ta ndihmojë që në të ardhmen të japë më të mirën edhe për Kombëtaren e Kosovës.

“Në Amerikë ka qenë një sezon e jashtëzakonshme, si ekip kemi arritur suksese, e kemi fituar konferencën që ka qenë diçka e jashtëzakonshme dhe që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, besoj që do të ndodhë edhe viteve në vazhdim. Por, edhe individualisht ka qenë një sezon shumë e mirë për mua për shkak që kam pasur besimin nga trajnerja dhe kam pasur minuta të lojës që nuk ndodh shumë të kenë lojtarët e vitit të parë, por dhe kjo ka qenë se kam qenë edhe më parë edhe kam pasur më shumë eksperiencë për Përfaqësuesen e Kosovës edhe që kamë luajtur në Spanjë më ka ndihmuar shumë që të zhvillohem si lojtare dhe si person”, deklaron Tuhina.

Ajo pranon se niveli i basketbollit në Amerikë është shumë më i lartë, por i gëzohet faktit që edhe në Kosovë po punohet shumë në rritjen e cilësisë së këtij sporti.

“Niveli është më ndryshe në Amerikë për shkak se atje i përkushtohen më shumë basketbollit, por edhe në Kosovë kur kam ardhur këtu dhe kam parë vajzat që po mundohen, kjo është diçka që kur kam luajtur unë këtu para pesë apo gjashtë viteve nuk ka ndodhur, kështu që jam e lumtur që vajzat po merren më shumë me sport çdo ditë”, thekson Tuhina.

Bartja e fanellës së Kosovës dhe përfaqësimi i saj në arenën ndërkombëtare e bën Tuhinën të ndjehet krenare. Ajo thotë se kjo është ëndërr e çdo sportisti kosovar.

“Është një ndjenjë shumë e mirë ta përfaqësosh shtetin duke treguar atje që jam njëra nga të vetmet lojtare që kam ardhur nga Kosova, është një ndjenjë e papërshkrueshme...Është një ndjenjë e jashtëzakonshme edhe për ta përfaqësuar Kosovën edhe me kombëtaren edhe ta veshësh ndrresën e Kosovës, është diçka që besoj se çdo sportistë ka dëshirë ta arrijë”, shton më tutje Tuhina.

Basketbollistja nga Prishtina shprehet entuziaste për interesimin e vajzave në Kosovë që të merren me basketboll. Ajo shprehet e lumtur që shumë vajza po motivohen prej saj në rrugën drejt sukseseve të reja.

“Çdo vit që vij këtu shoh më shumë vajza që merren me basketboll edhe kur kam shkuar në shkolla për t’i vizituar kanë pasur shumë dëshirë të më njoftojnë dhe pasi që iu kam treguar për eksperiencën time, ato kanë qenë shumë të lumtura dhe kanë thënë që do të vazhdojnë rrugën time dhe besoj që këto gjëra do të ndodhin vitet e ardhshme dhe basketbollit në Kosovë do t’i përkushtohen njerëzit edhe më shumë.”, thotë Tuhina.

Objektivat me Kosovën Tuhina i ka shumë të qarta.

“Për U20 besoj që do ta japim maksimumin edhe besoj që tani prapë e kemi Kroacinë edhe besoj që do të mundemi të fitojmë është këtë vit. Por, edhe me Kosovën A besoj që nuk e kemi kombëtaren, por besoj që vitin tjetër do të mbahet këtu në Kosovë dhe do të japim maksimumin edhe të përpiqemi të fitojmë.”, nënvizon ajo.

Në lidhje me të ardhmen e saj në nivel klubesh, Tuhina zbulon se edhe për tri vjetët e ardhshme do të jetë pjesë e Washington Cougars.

“Besoj që do të qëndrojë aty derisa ta përfundojë edhe fakultetin do të thotë edhe tri vite të tjera”, përfundon Tuhina.

Gjatë këtyre ditëve, Astera Tuhina po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në kampanjën promovuese të basketbollit për vajza “Her World, Her Rules” (Bota e Saj, Rregullat e Saj), ku ajo po ndan eksperiencën e saj ne basketboll për vajzat e grupmoshave të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat