Mungesa e rezultateve, kërkohen ndryshime në Kombëtaren e Kosovës në basketboll

Basketboll

Mungesa e rezultateve, kërkohen ndryshime në Kombëtaren e Kosovës në basketboll

Më: 28 maj 2023 Në ora: 12:11
Foto ilustrim

Me Pejën të shpallur kampion pas pesë finaleve të zjarrta përballë Trepçës i erdhi fundi një sezoni fantastik në Superligën e Kosovës në basketboll.

Rritja e cilësisë në klubet e Superligës zgjoi interesim të madh te publiku që gjatë gjithë sezonit shfaqi interesim të madh për të parë ndeshjet, gjë kjo që ka lënë të kënaqur edhe drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, por brenga që mbetet është që ky entuziazëm dhe kjo cilësi nuk po arrin të bartet edhe në nivel të Kombëtares së Kosovës në basketboll.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahuu, thotë për KosovaPress se po punojnë intensivisht që përmes vendimeve administrative, siç është rregulli që klubet të kenë dy lojtarë vendor në fushë ta përcjellin këtë cilësi edhe në nivel të kombëtares.

Fetahu: Duam që cilësinë e Superligës ta përcjellim edhe te kombëtarja

“Në realitet ne duhet ta shfrytëzojmë momentumin të cilin e kemi me zhvillimin e basketbollit tani e sa vite, me masivizimin e tij, me interesin i cili po shfaqet çdo ditë e më shumë për basketbollin, duhet ta shfrytëzojmë për rekrutim të basketbollistëve të rinj. Ideja e Federatës së Basketbollit të Kosovës është gjithmonë që ta gjejë balancin e duhur mes asaj që na nevojitet për visibilitet, na nevojitet për cilësi të garës, me punën të cilën e bëjmë për përfaqësueset tona. Ne i kemi dhënë hapësirë të mjaftueshme besoj marr parasysh tërë gamën e lojtarëve të cilët i kemi në dispozicion për përfaqësueset tona me vendimet administrative të cilat i kemi marrë për ta detyruar secilin klub që në çdo moment në Superligë t’i këtë së paku dy lojtar vendor në fushë.”, tha Fetahu.

Nga ana tjetër, ish-basketbollisti dhe trajneri i basketbollit, Ismet Ferati, vë në dukje faktin se nuk po bëhet puna e duhur me kategoritë e reja dhe se për shkak të ngecjes në këtë hallkë, po mungojnë rezultatet e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai thotë se nëse kjo qasje nuk ndryshon urgjentisht, atëherë ekziston rreziku që Kosova brenda pak vitesh të mos ketë lojtar të nivelit të lartë për t’i zëvendësuar ata që janë duke luajtur aktualisht.

Ferati: Puna me kategoritë e reja nuk është në nivelin e duhur

“Mendoj që sistemi i punës te kategoritë e reja nuk është në nivelin e duhur pasi që në shumicën e qyteteve...puna sistematike me kategoritë e reja nuk është e mirë...Në reprezentacionin e seniorëve i kemi shtatë apo tetë lojtarë, jo më tepër vendor kualitativ që mund ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të denj në arenën ndërkombëtare duke filluar prej para-kualifikimeve e të gjitha këto gjërave të tjera dhe nuk kemi ndonjë lojtarë të ri, mosha 19, 20, 21 që i zëvendëson lojtarë që tash e dimë që sa vite janë duke luajtur, Dardan Berisha, Drilon Hajrizi, Erjon Kastrati, Gëzim Morina që janë në një moshë 30-35 vjeçare dhe maksimumi do të luajnë edhe dy apo tri vite. Unë e shoh problemi që pas disa viteve nuk do të kemi lojtarë që do t’i zëvendësojnë këta lojtarë që janë duke luajtur momentalisht.”, tha Ferati.

Duke folur për KosovaPress, Ferati thotë se klubet duhet të detyrohën që t’i kenë nga tre lojtarë vendor në fushë, e jo dy sa është aktualisht me rregullat në fuqi.

Ferati: Duhet ndryshuar rregulli për lojtarët vendor në klube

“Unë mendoj që duhet të jetë e kundërta, jo tre lojtarë të huaj e dy vendor, por tre lojtar vendor dhe dy të huaj nëse duam të kemi reprezentacion kualitativ sepse për klube dhe për shikues është më interesant kur kemi ndoshta lojtarë të huaj më tepër në lojë, mirëpo po shohim që mandej rezultatet e reprezentacionit jo vetëm kombëtares A, por edhe të U20, U18 dhe të gjitha të tjerat nuk janë në nivelin që ne e dëshirojmë.”, theksoi Ferati.

Së fundi, në krye të Kosovës u emërua trajneri izraelit Rami Hadar dhe bashkë me të, i pari i FBK-së thotë se do të vij edhe një lojtar i huaj si i natyralizuar por do të ketë edhe lojtarë të rinj vendor në kombëtare.

Fetahu: Do të ketë lojtarë të rinj në Kombëtaren e Kosovës

“Ideja për natyralizimin është që ta kemi edhe një lojtar të ri, po mendojmë që ta kemi një lojtar i cili do të jetë me ne, do të mëshirohet me ekipin për një periudhë më të gjatë kohore. Do të ketë emra të rinj edhe brenda kombëtares për këtë cikël, do të ketë lojtar të rinj të natyralizuar, por do të ketë gjithashtu edhe lojtarë të cilët na vijnë prej grupmoshave më të reja.”, theksoi Fetahu.

Në kuadër të parakualifikimeve për Eurobasket 2025, Kosova është pjesë e grupit H ku do të ballafaqohet me Zvicrën dhe Danimarkën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat