KB Bashkimi i Prizrenit po shkruan histori, duke marrë për herë të parë pjesë në garat ndërkombëtare të basketbollit, konkretisht në kualifikimet e Kupës FIBA të Evropës. Përballë tyre qëndron një sfidë madhore, Anwil Włocłaëek, një ndër skuadrat më të forta dhe më të suksesshme të Polonisë.
Megjithëse shorti nuk ishte aspak i lehtë, optimizmi, përgatitja dhe dëshira për ta nderuar qytetin dhe klubin janë të pranishme te të gjithë, nga trajneri Igor Jovovic, kapiteni Altin Morina, e deri te drejtori sportiv Qendrim Biraj. Të tre theksojnë se sfida është e vështirë, por premtimi është i qartë: Bashkimi do të luftojë me gjithçka për të vënë në provë kundërshtarin dhe për të lënë gjurmë në arenën evropiane.
Trajneri Jovovic thotë për KosovaPress se skuadra e tij do t’ua bëjë jetën shumë të vështirë rivalëve polak.
Jovovic: Do t’ua bëjmë jetën të vështirë kundërshtarëve tanë
“E rëndësishme apo jo, kjo është një mundësi e madhe për qytetin e Prizrenit dhe për Bashkimin si klub për të garuar në kualifikimet e Kupës FIBA të Evropës. Unë në jetë jam optimist, por edhe realist. Nuk patëm shumë fat në short. Po përballemi me një ekip që vit pas viti është kampion ose nënkampion në Poloni. Si dikush që kam punuar tashmë në atë vend, e di që Anwil është një nga fuqitë e mëdha atje. Organizim i madh, cilësi e madhe në skuadër dhe gjithashtu bazë e mirë tifozësh, kështu që do të jetë shumë e vështirë për ne. Por mendoj se duhet t’ua bëjmë jetën të pa rehatshme, sidomos këtu në ndeshjen e parë në Prizren, dhe t’i sfidojmë shumë fort”, theksoi Jovovic
Kapiteni i skuadrës, Altin Morina, pranon se kundërshtari është shumë i fortë, por ai premton maksimumin në parket bashkë me shokët e tij.
Morina: Është historike dalja jonë në Evropë, andaj do japim maksimumin
“Siç e dimë, Bashkimi për herë të parë merr pjesë në garat ndërkombëtare, për ne është shumë e rëndësishme, është histori. Jemi duke u përgatitur mjaftueshëm mirë. E kemi një kundërshtar shumë të fortë pasi siç e dimë para dy viteve ka qenë edhe kampion i kësaj lige, mirëpo neve nuk na mbetet gjë tjetër përveç se të japim maksimumin ndaj tyre dhe të shfaqim rezultate të mira në Evropë”, deklaroi Morina.
Optimist shprehet edhe Drejtori Sportiv i klubit, Qëndrim Biraj. Ai thotë se skuadra do të kërkojë rezultat pozitiv, sidomos në ndeshjen e parë që zhvillohet në Prizren.
Biraj: Do japim gjithçka, nuk do të dorëzohemi
“Realisht është historike për klubin e Bashkimit të luajë në arenën ndërkombëtare. Fati ishte që të ballafaqohemi ose shorti të na bie njëri prej kundërshtarëve më të fortë të këtij kualifikimi prej 16 skuadrave. Kemi filluar ta analizojmë kundërshtarin, Anwilin, dihet që ka një ekip mjaftë cilësor, por ne nuk do të dorëzohemi i deri në fund, do të japim gjithçka nga vetja dhe po shpresoj që do të arrijmë një rezultat pozitiv, së paku këtu si vendas”, tha Biraj.
Si trajneri Jovovic, ashtu edhe kapiteni Morina kanë kërkuar përkrahjen e madhe të tifozëve, duke e konsideruar atë si lojtarin e gjashtë dhe shtysë të madhe për të kërkuar më të mirën në këtë rrugëtim historik.