Rahoveci 029 ka arritur fitore ndaj Vëllaznimit me rezultat 81:80 në xhiron e pestë të ProCredit Superligës.
Ndeshja ka qenë shumë e luftuar dhe rezultati është mbajtur i ngushtë deri në fund.
Në çerekun e fundit, përballja është bërë edhe më dramatike, ku asnjëra skuadër nuk ka arritur të shkëputej. Vetëm dy sekonda para fundit, Eliot Peci ka realizuar dy pikët vendimtare për ta çuar Rahovecin në fitore 81:80.
Te Rahoveci 029 është dalluar Kentrell Pullian me njëzet e pesë pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime. Tek Vëllaznimi ka spikatur Marques Warrick me nëntëmbëdhjetë pikë dhe Leo Colimerio me tetëmbëdhjetë pikë.
Me këtë fitore, Rahoveci 029 tani ka dy fitore dhe tri humbje, ndërsa Vëllaznimi mbetet me një fitore dhe katër humbje.