Ndoshta Kevin Durant nuk do ta arrijë dot një Lebron Xhejms apo një Abdul Karim Xhabar, por gjithsesi ai po ngjitet në renditjen e shënuesve më të mirë të basketbollit amerikan.
Në moshën 38-vjeçari, ai kaloi shifrën e veçantë të 31 000 pikëve në karrierë në sezonin e rregullt.
Kjo, pasi shënoi 28 në fitoren e thellë që Hjuston Rokits arriti ndaj Feniks Sansëve në NBA, me shifrat 117-98.
Durant është i teti lojtar në historinë e ligës më të fortë të koshit në botë që kalon kufirin 31 000 pikë, ndërsa në radhë përpara tij është legjenda e madhe dhe e paharruar Uilt Çembërlen, me vetëm rreth 400 pikë më shumë.
Më tej vijnë gjigandi gjerman, Dirk Novicki, dhe ai që cilësohet ende si më I miri I të gjitha kohëve, Majkëll Xhordan, që ka 32 292 pikë.
Natyrisht, nuk bëhet fjalë që Durant të pretendojë nivelin e Lebron Xhejmsit që ka mbi 42 000 pikë në sezonin e rregullt, as Xhabarin me mbi 38 000.
Kevin Durant është shpallur dy herë kampion i NBA-së me Golden Stejtin, ndërsa shpreson të fitojë edhe një titull tjetër e të vazhdojë sa më gjatë karrierën, ndonëse njihet si “njeriu i akullt” i basketbollit amerikan.