Kombëtarja e meshkujve e Sllovakisë në fazën e parë të parakualifikimeve për EuroBasket 2029 do të luajë dy ndeshje të vështira në Kosovë dhe Shqipëri.
Ndeshja luhet nesër në palestrën e sportit në Prizren, duke filluar në orën 19.00.
“Bolek, lojtar i Nitra Blue Ëings, tha se humbja në gjysmëfinale të Kupës ndaj BC Prievidza ishte zhgënjim, por tani fokusi është te play-offi.
Ai është bërë pjesë e rregullt e kombëtares nga trajneri Oliver Vidin dhe theksoi se gjithmonë jep maksimumin, pavarësisht minutave në parket.
Sllovakia ka fituar ndaj Shqipërisë 73:63 në shtëpi, por Bolek paralajmëron se ndeshjet në transfertë do të jenë shumë të vështira.
Për lojtarin e natyralizuar amerikan David DeJulius, ai tha se është përshtatur shumë mirë dhe do të jetë përforcim i madh për ekipin”, shkruan faqja sllovake “Basket”.
Jeni rikthyer në kombëtare. A do të jetë një ndryshim i këndshëm për ju pas Kupës së Sllovakisë?
Bolek: Humbja në gjysmëfinale kundër Prievidzës ishte zhgënjim, sepse kishim objektiva më të mëdha. Fatkeqësisht, tani më e rëndësishmja është të mësojmë nga gabimet dhe të jemi gati për ‘play-off’-in që po afrohet.
Si e vlerësoni sezonin deri tani?
Bolek: Mendoj se nuk është keq, por mund të ishte më mirë. Humbëm disa ndeshje që nuk duhej t’i humbnim.
Megjithatë, jemi në vendin e dytë dhe besoj se do ta ruajmë këtë pozitë deri në fund të sezonit të rregullt. Më e rëndësishmja është të përmirësohemi vazhdimisht dhe të jemi sa më të përgatitur për kulmin e sezonit – ‘play-off’-in.
Ftesat në kombëtare po bëhen të rregullta për ju. Cili është roli juaj?
Bolek: Po, dhe jam jashtëzakonisht mirënjohës për këtë. Jam shumë i lumtur që trajneri Oliver Vidin më fton. Secili ka rolin e vet. Edhe nëse nuk luaj, dua t’i jap ekipit energji maksimale.
Përfaqësimi është kulmi i karrierës sime. Kur më jepet mundësia, mundohem të ndihmoj me mbrojtje të mirë, realizime dhe gjithçka që pritet nga unë.
Si shkuan përgatitjet për dy ndeshjet kundër Kosovës dhe Shqipërisë?
Bolek: U përgatitëm me përgjegjësi, sepse e dimë që ndeshjet jashtë fushe do të jenë shumë të vështira. Nuk kemi qëllim tjetër përveçse të kthehemi me dy fitore, që të mos e komplikojmë situatën.
Sllovakia e ka mposhtur tashmë Shqipërinë në shtëpi me rezultat 73:63...
Bolek: Kjo ndeshje na tregoi se mund të luajmë edhe më mirë. Fitoret janë të rëndësishme, por këto dy takime do të jenë fizike dhe me atmosferë të zjarrtë. Nuk do të jetë e lehtë të luajmë në një ambient të tillë, por besoj se do t’ia dalim.
Një përforcim i ri në skuadër është amerikani i natyralizuar David DeJulius.
Bolek: Që në stërvitjet e para u pa cilësia e tij. Më e rëndësishmja është që u përshtat shumë mirë me ekipin. Është kënaqësi të luash me të dhe besoj se do të jetë një ndihmë e madhe për ne.